BE-ja ka siguruar 127 milionë euro shtesë për ndihmë të refugjatëve sirianë në Turqi

Në fondin prej 6 miliardë eurove të themeluar në vitin 2016 me qëllim mbështetjen e refugjatëve në Turqi, deri më sot janë derdhur 5,6 miliardë euro

BE-ja ka siguruar 127 milionë euro shtesë për ndihmë të refugjatëve sirianë në Turqi

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se në kuadër të programit të ndihmave financiare për mbështetjen e refugjatëve në Turqi ka siguruar 127 milionë euro shtesë ndihma.

Komisioni Evropian bëri një deklaratë në lidhje me programet në fjalë.

Në deklaratë thuhet se për përdoruesit e kartave të Gjysmëhënës së Kuqe Turke (Kizilaykart) të shpërndara në kuadër të programit të Integrimit Social për refugjatët në Turqi nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara (WFP) janë siguruar 127 milionë euro financa shtesë, me të cilat kontributi i përgjithshëm financiar i BE-së doli në 1 miliardë e 125 milionë euro.

Në mes tjerash bëhet e ditur se në fondin prej 6 miliardë eurove të themeluar në vitin 2016 me qëllim mbështetjen e refugjatëve në Turqi, deri më sot janë derdhur 5,6 miliardë euro, ndërsa thuhet se në kuadër të fondit janë nënshkruar marrëveshje në vlerë 3,5 miliardë euro dhe se deri më tani janë paguar 2,4 miliardë euro.

Me anë të programit të Integrimit Social të strehuarit që kanë statusin e mbrojtjes ndërkombëtare ose të strehimit të përkohshëm dhe që janë të strehuar jashtë kampeve në Turqi, ndihmohen për t’i plotësuar nevojat e tyre themelore.

Personat në nevojë me anë të kartës së Gjysmëhënës së Kuqe Turke marrin ndihma në vlerë 120 lira turke për anëtarë të familjes.

Në sajë të ndihmave financiare bartësit e këtyre kartelave mund t’i sigurojnë drejtpërsëdrejti nevojat e tyre themelore.

Në kuadër të samitit Turqi-BE, që u mbajt më 29 nëntor 2015 Bashkimi Evropian ishte zotuar për të siguruar fonde në vlerë 3 miliardë euro për sirianët e strehuar në Turqi.

Ndërkaq gjatë samitit të mbajtur më 18 mars 2016 u mor vendim për të vënë në jetë një fond shtesë në vlerë 3 miliardë euro.

Sipas vendimeve të marra këto fonde do të shpenzohen për projektet për plotësimin e nevojave shëndetësore, të arsimit, infrastrukturës, ushqimit dhe nevojave tjera të refugjatëve sirianë të strehuar në Turqi.

Turqia, e cila mirëpret më së shumti refugjatë në botë, e akuzon BE-në për transferim të ngadalshëm të ndihmave financiare për refugjatët sirianë.

 


Lajme të ngjashme