Jemen - UNICEF-i vaksinon 5 milionë fëmijë kundër sëmundjes së poliomielitit

UNICEF-i ka zgjeruar fushën e veprimit në Jemen këtë vit dhe bëri disa studime për nënën dhe fëmijët dhe ofroi shërbime të ndryshme të vaksinimit.

Jemen - UNICEF-i vaksinon 5 milionë fëmijë kundër sëmundjes së poliomielitit

Në Jemen këtë vit janë vaksinuar 5 milionë fëmijë kundër sëmundjes së poliomielitit (paralizës së fëmijëve).

Meritxell Relano, përfaqësuesi i Fondit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë të Fëmijëve (UNICEF) në Jemen gjatë fjalimit në seminarin e mbajtur në lidhje me punën e UNICEF-it për këtë vit që u organizua në kryeqytetin e përkohshëm Aden të Jemenit, tha se “Nga aspekti i kontributeve që UNICEF-i bëri në këtë vend, me në krye programet e shëndetësisë dhe të ushqimit, viti 2018 kaloi ndryshe dhe me sukses. UNICEF-i mundësoi kurimin dhe kujdesin për mbi 270 mijë fëmijë që vuanin nga kequshqyerja akute”.

Relano tërhoqi vëmendjen se UNICEF-i ka zgjeruar fushën e veprimit këtë vit dhe bëri disa studime për nënën dhe fëmijët dhe ofroi shërbime të ndryshme të vaksinimit dhe tha se “Gjatë vitit 2018 në Jemen janë vaksinuar 5 milionë fëmijë kundër sëmundjes së poliomielitit”.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Jemen theksoi se lufta civile, që zgjatë afërsisht 4 vjet, ka vështirësuar kushtet humanitare dhe shëndetësore dhe se kjo situatë ka shkaktuar përhapjen e sëmundjeve epidemike dhe mbylljen e një numri të madh të objekteve për kujdes shëndetësor.

Në raportet e publikuara nga UNICEF-i rikujtohet nevoja emergjente për ndihma humanitare ndaj fëmijëve jemenas të cilët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve si uria, difteria dhe kolera.

Sipas informatave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Jemen, ku me miliona njerëz po luftojnë kundër urisë, çdo 10 minuta humbet jetën një fëmijë për “shkaqe që mund të parandalohen”.

 


Lajme të ngjashme