Mjekësia turke e spikatshme nga aspekti i transplantimit të organeve

Kryetari i Shoqatës së Koordinatorëve të Transplantimit të Organeve nga Turqia (ONKOD), Dr. Yavuz Selim Çınar, tha se Turqia është në mesin e tri vendeve të para për sa i përket transplantimit të veshkave dhe mëlçisë nga dhurues të gjallë...

Mjekësia turke e spikatshme nga aspekti i transplantimit të organeve

Kryetari i Shoqatës së Koordinatorëve të Transplantimit të Organeve nga Turqia (ONKOD), Dr. Yavuz Selim Çınar, tha se Turqia është në mesin e tri vendeve të para për sa i përket transplantimit të veshkave dhe mëlçisë nga dhurues të gjallë dhe se vendi i tij vizitohet për qëllime trajnuese në këtë fushë.

Duke folur për Agjencinë e Lajmeve Anadolli (AA) në Kongresin Ndërkombëtar të Transplantimit të Organeve të mbajtur në kryeqytetin spanjoll Madrid, Çınar tha se afër dy milionë njerëz në botë dhe mbi 25 mijë në Turqi janë të regjistruar në listën e pritjes për organe që do të dhurohen për të vazhduar jetën e tyre.

"Fatkeqësisht, rreth dhjetë për qind nga këta pacientë humbin jetën pa arritur në organe të përshtatshme. Pa dyshim, ashtu sikurse në tërë botën, edhe në Turqi faktori kryesor që kufizon transplantimin është gjetja e organeve", thotë Çınar.

Sipas shifrave të fundit të Ministrisë turke të Shëndetësisë, në Turqi janë kryer 1.087 transplantime të mëlçisë nga dhurues të gjallë dhe 359 nga persona të vdekur, si dhe 2.647 transplantime të veshkave nga dhurues të gjallë dhe 693 nga persona të vdekur, tha Çınar.

Çınar paralajmëroi se çdo njeri i shëndoshë mund të ndiejë nevojë për organ në një periudhë të caktuar të jetës, andaj, sipas tij, transplantimi i organeve është i rëndësishëm.

Ai i cilësoi si të rëndësishme dhurimet e organeve që bëhen nga personat me vdekje cerebrale.

Sipas Çınar, Turqia ka arritur sukses të lartë në transplantim dhe është në garë me botën veçanërisht në fushën e transplantimit të veshkave dhe mëlçisë.

"Në veçanti, bëhet fjalë për sukses të Turqisë në transplantimin nga donatorë të gjallë. Turqia veçanërisht bën pjesë në mesin e tri vendeve të para në transplantimin e veshkave dhe mëlçisë nga dhurues të gjallë, pasi ne jemi para shumë vendeve me përvojë dhe teknikë kirurgjike", thekson Çınar.

"Turqia tanimë është bërë vend që ofron trajnim për transplantimin nga dhurues të gjallë. Mjekë nga vende të ndryshme të botës vijnë në vendin tonë për trajnim në kirurgji të transplantimit nga dhurues të gjallë. Në kuadër të projektit International Transplant Network-ITN, brenda tri viteve është ofruar trajnim për transplantim për 3 mijë persona nga 76 shtete që veprojnë në këtë fushë", shtoi Çınar.

Ai nënvizon se faktor të rëndësishëm në suksesin e Turqisë në këtë fushë janë arsimi, pajisja teknike dhe mjekët me përvojë.

"Një diferencë e rëndësishme buron nga njerëzit tanë. Sepse njerëzit tanë dhurojnë organe pa hamendje nëse një i afërm ka nevojë. Kështu që kjo gjë rrit normat e dhurimit nga dhurues të gjallë dhe mundësitë e transplantimit", vlerëson Çınar.

Çınar thotë se Turqia është duke zhvilluar punime në mënyrë që edhe transplantimi nga dhurues të vdekur të arrijë në nivele të ngjashme. Sipas tij, rëndësi është duke u dhënë trajnimit të personelit shëndetësor, përforcimit të përbërjes teknike dhe aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes për rritjen e dhurimit të organeve.

Ai tregon se organizatat si ONKOD, TONV dhe organizatat e tjera relevante janë duke organizuar aktivitete mediatike për mënjanimin e keqinformimit, ashtu që opinioni të informohet në mënyrë të duhur në lidhje me këtë çështje.

"Në saje të kësaj, shumë shpejt ne do ta vendosim emrin tonë para shumë vendeve në transplantim nga dhurues të vdekur, ashtu sikurse jemi në transplantim nga dhurues të gjallë, sepse ne kemi përbërje shkencore dhe teknike dhe shoqëri civile relevante që do ta mundësojnë këtë gjë. Ministria jonë e Shëndetësisë është e njohur me çështjen. Me rritjen e transplantimit nga dhurues të vdekur, ne do të bëhemi vend i spikatur në botë edhe në këtë lloj të transplantimit, ashtu sikurse jemi në transplantim nga dhurues të gjallë", thekson Çınar.

Kreu i ONKOD-it Çınar i cilëson si të rëndësishme njoftimet dhe prezantimet në lidhje me këtë sukses të Turqisë në kongrese ndërkombëtare.

Ai thotë se procesi i transplantimit bëhet në siguri të lartë në çdo fazë, duke parandaluar çdo rrezik të mundshëm nga keqpërdorimi.

"Meqenëse numri i transplantimeve është shumë i lartë në vendin tonë, ekzistojnë praktika serioze ligjore. Ka inspektime të rrepta për t'i parandaluar keqpërdorimet. Transplantimi nga dhurues të gjallë në vendin tonë parimisht bëhet nga të afërm me kusht që të jenë deri në linjën e katërt. Nëse nuk gjendet dhurues deri në linjën e katërt, atëherë kjo gjë bëhet me vendim të Këshillit të Etikës", thotë Çınar.

"Mbi 90 për qind e transplantimeve sigurohen nga të afërmit. Bëhen inspektime serioze në lidhje me dhuruesin dhe pranuesin. Për këtë arsye, të gjitha transplantimet bëhen në mënyrë të sigurt dhe të paekspozuar ndaj çfarëdo lloj keqpërdorimi", tha për AA kryetari i ONKOD-it, Yavuz Selim Çınar. (AA)



Lajme të ngjashme