OJQ-të thirrje qeverisë së Bangladeshit për luftë kundër drogës

Organizatat joqeveritare në Bangladesh i bënë thirrje pushtetit për të luftuar përhapjen e vazhdueshme të përdorimit të drogës në vend.

OJQ-të thirrje qeverisë së Bangladeshit për luftë kundër drogës

Kryetari i Asociacionit për Ndalim të Përdorimit të Drogës (MANAS), Arup Ratan Chaudhury, në deklaratën e tij për AA vuri në dukje se nëse qeveria urgjentisht nuk aplikon një program të ashpër dhe efektiv për parandalimin e përdorimit të drogës, brezi i ri mund të zhduket për disa vite.

Në raportin e publikuar ditë më parë, MANAS pohoi se në vend ka mbi 7 milionë persona të varur nga droga.

“Sipas raportit tonë, në vend ekzistojnë mbi 7 milionë persona të varur nga droga. Numrat zyrtarë thonë se ekzistojnë 5 milionë të varur. Ne vlerësojmë se numri i vërtetë është shumë më i lartë se që mendohet dhe se ka arritur në 10-15 milionë”, tha Chaudhury, duke theksuar që tek të rinjtë, përdorimi i drogës shkon duke u përhapur.

Duke pohuar që substancat narkotike në vend depërtojnë nga Mianmari dhe India dhe se "kurban" të drogës janë të rinjtë, ai shtoi që në rast se Bangladeshi nuk ndërmerr asgjë për të ndaluar këtë rrjedhje, brenda disa viteve do të ballafaqohet me rrezikun e zhdukjes së të rinjve.

Chaudhury, i cili është edhe anëtar i Bordit Kombëtar për Kontroll Drogës, i bën thirrje pushtetit për nisjen e një fushate e cila do të godasë tregtinë e narkotikëve.

Sipas tij, në vend ka mbi 3 milionë shitës droge dhe se tregu i narkotikëve vetëm në kryeqytetin Dakka në muaj arrin shifrat prej 7 milionë e 154 mijë dollarë. Chaudhury shtoi se nëse qeveria i aktivizon institucionet e duhura, do të mund të marrë kontrollin “brenda 3 muajsh”.

Ai, duke dhënë shembull mbi operacionet e luftimit të drogës nën urdhrin e presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte, tha se edhe qeveria e Bangladeshit duhet të zbatojë një qasje të ngjashme.

Sipas raportit të Departamentit për kontroll të drogës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë viteve të fundit në Bangladesh është shënuar rritje e madhe e hyrjes së drogës.

Në raport gjithashtu thuhet se 77 për qind e të varurve nga droga janë persona të moshës midis 15-35 vjeç dhe se përdorimi i drogës është i përhapur njëjtë mes të gjitha niveleve, qoftë të pasur, të varfër apo të arsimuar dhe të paarsimuar.

Në një raport tjetër të publikuar nga organizata joqeveritare e quajtur “Rinia brenga jonë e vetme”, thuhet se varësia ndaj drogës është në rritje dhe se është vënë në pah se 20 për qind nga të varurit janë femra.

Njësiti special i sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit, Batalioni i Ndërhyrjes Urgjente (RAB) njoftoi se viteve të fundit ka përshpejtuar operacionet e luftës kundër drogës.

Drejtori Ligjor dhe Mediatik i RAB-it, Mahmud Han, për AA tha se lufta kundër drogës nuk do të jetë e suksesshme vetëm me masa të sigurisë. Ai shtoi se në bashkëpunim me popullatën organizojnë fushata për ngritje të vetëdijes për varësinë ndaj drogës.

“Meqë tabletat narkotike vijnë nga një vend i përcaktuar (Mianmar), kemi rritur operacionet për mbikëqyrje të rrugëve detare dhe tokësore”, u shpreh Han, duke shtuar se falë përpjekjeve të shtuara të forcave të sigurisë në vitin 2017 është shënuar rënie e hyrjes së drogës. (AA)



Lajme të ngjashme