BE-Kinë bëhen bashkë kundër Trump për të mbrojtur Marrëveshjen e Parisit për Klimën

BE-ja dhe Kina janë të vendosura të përparojnë mbi politika dhe masa të nevojshme për aplikimin konkret të angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Parisit.

BE-Kinë bëhen bashkë kundër Trump për të mbrojtur Marrëveshjen e Parisit për Klimën

BE-ja dhe Kina, të mbledhur në një samit të mërkurën në Bruksel, janë të gatshme të mbrojnë Marrëveshjen e Parisit për luftën kundër ngrohjes klimatike, në një çast që Donald Trump po e mban pezull përgjigjen për një tërheqje të mundshme amerikane.

Në epokën Obama, Uashingtoni dhe Pekini ishin shtyllat, ku mbështetej marrëveshja e dhjetorit 2015, në të cilën 196 vende nën drejtimin e OKB-së janë angazhuar të limitojnë rritjen e temperaturave dhe të reduktojnë prodhimin e gazrave me efekt serrë.

Sot në Bruksel, Kina do të jetë në krahë të BE-së për një deklaratë të përbashkët përballë zvarritjeve amerikane për të konfirmuar angazhimin e tyre përballë Marrëveshjes histrike të Parisit dhe të përshpejtojnë bashkëpunimin e tyre për të përmirësuar aplikimin e saj, sipas një projektdeklarate.

BE-ja dhe Kina janë të vendosura të përparojnë mbi politika dhe masa të nevojshme për aplikimin konkret të angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Parisit, theksohet në këtë dokument.

 

Media amerikane njoftoi të mërkurën se Donald Trump ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit, por ky i fundit në një mesazh në “Twitter” thjesht ka premtuar se do të njoftojë vendimin në ditët në vijim.

Tërheqja e ShBA-së, një prej ndotësve më të mëdhenj në botë, do të jetë goditje e fortë kundër ndryshimit klimatik, vetëm një vit e gjysmë pas euforisë së krijuar nga marrëveshja e Parisit.

I pyetur të mërkurën mbi këtë çështje gjatë një konference për shtyp, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian i ngarkuar me Energjinë, Maros Sefcovic u shpreh se “BE-ja është në dijeni të këtyre zërave”.

“Ne po i dëgjojmë. Ka pritshmëri të mëdha nga partnerët tanë në botë, në Afrikë, në Azi, në Kinë, që Evropa të marrë lidershipin në këtë përpjekje”, deklaroi Sefcovic.

“Evropa është gati të kryesojë lëvizjen. Me siguri që do e bëjmë. Por nuk do të jetë fundi i njerëzimit nëse ShBA-ja tërhiqet”, theksoi ai.



Lajme të ngjashme