Shqipëri – Çaji i malit në Librin e Kuq të specieve të rrezikuara

Një raport i PNUD-it mbi Menaxhimin e Ekosistemit në Basenin e Liqenit të Prespës tregon se çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) është një nga bimët më të rrezikuara në Shqipëri...

Shqipëri – Çaji i malit në Librin e Kuq të specieve të rrezikuara

Shqipëria përballet me nivelin më të lartë të humbjes së bimësisë së rrallë në Evropë. Një raport i Programi i OKB-së për Zhvillim (PNUD) mbi Menaxhimin e Ekosistemit në Basenin e Liqenit të Prespës tregon se çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) është një nga bimët më të rrezikuara në Shqipëri.

Në këtë raport theksohet se, në listën e Specieve të Mbrojtura të Florës Shqiptare, çaji shqiptar i malit konsiderohet si një bimë e kërcënuar nga zhdukja, me një rënie prej 50% në një periudhë 20-vjeçare.

Sipas studimit të përfshirë në Ligjin për Mbrojtjen e Bimëve Medicinale, që përmbajnë acid tanik dhe vajra esenciale, bimët medicinale në kullota dhe lëndina duhen mbledhur nga njerëz të autorizuar e të pajisur me një licencë të lëshuar nga autoritetet përkatëse.

Një studim tjetër tregon se në Shqipëri mbledhja në natyrë dhe shitja e bimëve medicinale dhe aromatike është burimi kryesor i të ardhurave për familjet e varfra rurale.

Në pjesën shqiptare të Parkut të Prespës, numri i njerëzve që mbledhin këto bimë për shitje arrin në 50, shumica prej të cilëve janë femra.

Por ekspertët vendas thonë se numri i të ashtuquajturve “mbledhës rastësorë” të këtyre bimëve mund të përafrohet në 1.500 vetë. Përveç banorëve të zonës, disa mbledhës të këtyre bimëve vijnë edhe nga qyteti i Korçës.

Raporti i PNUD-it, i cili përfshin edhe një plan veprimi, thekson se çaji shqiptar i malit është një nga 70 bimët medicinale dhe aromatike, që mblidhen dhe shiten në zonën e Prespës.

Planveprimi i PNUD-it është përgatitur për të siguruar një status për restaurimin dhe mbrojtjen e sipërfaqeve me çaj mali në zonën e Prespës.

Qëllimi i këtij planveprimi për konservimin e çajit të malit përmbledh katër objektiva:

1) Eliminimi i mbledhjes së tepruar dhe të papërshtatshme.

2) Parandalimi i degradimit të habitateve të çajit të malit.

3) Përmirësimi i njohurive për çajin.

4) Përmirësimi i ndërgjegjësimit mbi çajin e malit.



Lajme të ngjashme