Hawking: Njerëzimi në rrezik, mund të zhduket brenda 1 000 vjetëve

Astrofizikani britanik Stephen Hawking, i cili jetën ia ka kushtuar zgjidhjes së misterit të universit, ka alarmuar se njerëzimi do të zhduket brenda një mijë viteve në qoftë se nuk gjendet ndonjë planet tjetër për të jetuar.

Hawking: Njerëzimi në rrezik, mund të zhduket brenda 1 000 vjetëve

Në konferencën që mbajti në Grupin e Debatit të Universitetit të Oxford-it në lidhje me universin dhe origjinën e njeriut, ai tha se njerëzimin e pret e një e ardhme e errët.

Sipas Hawking njohuritë e njeriut mbi universin këto 50 vitet e fundit janë rritur në masë të konsiderueshme.

“Kush e di, mbase një ditë mund të fillojmë të përdorim valët e gravitetit për të parë zemrën e Shpërthimit të Madh (Big Bang). Por ndërkohë jemi të detyruar të kërkojmë vend në ndonjë planet tjetër për të ardhmen e njerëzimit. Ndryshimet klimatike dalëngadalë do të sjellin fundin e jetës në Tokë. Nëse nuk arrijmë të gjejmë dot ndonjë planet tjetër për të jetuar, nuk mendoj se njerëzimi do të mbijetojë në planetin tonë të brishtë”, tha 74-vjeçari Hawking.

Duke u rekomanduar të rinjve në audiencë të punojnë për zgjidhjen e mistereve të universit, Hawking u shpreh: “Mbajini sytë jo në tokë, por në qiell, tek yjet. Përpiquni ta kuptoni dhe ta shpjegoni atë çfarë shihni. Bëhuni kureshtarë. Mund të keni sukses sado që e vështirë që të jetë. Ajo që ka më shumë rëndësi, është të mos dorëzoheni.”

Hawking nuk mund të lëvizë për shkak të Sklerozës Amiotrofike Laterale (ALS), me të cilën u diagnostifikua kur ishte student në Universitetin e Kembrixhit. Për të komunikuar ai përdor teknologjitë kompjuterike. 

Libri me titull “Historiku i Shkurtër i Kohës” nga Hawking ka realizuar më shumë se 10 milionë shitje në tërë botën.

ALS dëmton qelizat nervore që ndodhen në tru dhe palcën kurrizore dhe të cilat kontrollojnë muskujt. Trajtimi mjekësor i kësaj sëmundjeje nuk është zbuluar ende.

Një pjesë shumë e vogël e të sëmurëve me ALS jetojnë më shumë 10 vite.



Lajme të ngjashme