VIDEO - Haiti ballafaqohet me epideminë e kolerës

Të mbijetuarit nga uragani Matthew, i cili mori nën ndikim Haitin ditë me radhë, tani ballafaqohen me epideminë e sëmundjes së kolerës.

588787
VIDEO - Haiti ballafaqohet me epideminë e kolerës

Të mbijetuarit nga uragani Matthew, i cili mori nën ndikim Haitin ditë me radhë, tani ballafaqohen me epideminë e sëmundjes së kolerës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se deri më sot janë regjistruar të paktën 200 raste për të cilat supozohet se janë të prekur nga kolera, ndërsa bëri të ditur se në këtë vend do të dërgohen 1 milionë vaksina për mbrojtje kundër kësaj sëmundjeje.

Shefi i njësisë së emergjencës të departamentit të pediatrisë të Haitit, Unni Krishnan, paralajmëroi që në qoftë se nuk merren masat emergjente epidemia do të mund të dalë jashtë kontrolli shumë shpejtë.

Krishnan tha se problemi i kolerës nuk është problemi i vetëm i vendit, por shtoi se fëmijët ballafaqohen me vdekjen për shkak të urisë dhe mungesës së ushqimit dhe se krahas pamjaftueshmërisë së spitaleve, klinikave, ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, të sëmurët përballen edhe me vështirësitë e qasjes në qendra mjekësore.

Paul Brockmann, përgjegjësi i Organizatës së Mjekëve pa Kufi për Haitin tha se në qendrën për trajtimin e sëmundjes së kolerës, të cilën organizata e hapi në zonën Por-a-Piment, deri më tani janë kuruar 87 persona.

Duke e bërë të ditur se lagështia e madhe dhe sezoni i shirave lehtësojnë përhapjen e sëmundjes së kolerës, Brockmann tha se “Uragani ndikoi edhe më shumë në gjendjen shëndetësore edhe ashtu të brishtë të banorëve. Rreziku nga përhapja e epidemisë së kësaj sëmundjeje është më i madh në zonat e gjata bregdetare”.

Zyra e Koordinimit të Ndihmave Humanitare e OKB-së (OCHA) bëri thirrje për 119 milionë dollarë ndihma, me qëllim të dërgimit të ndihmave humanitare për 750 mijë persona të prekur nga uragani Matthew në Haiti.

Kjo zyre bëri të ditur se nga uragani kanë humbur jetën të paktën 900 persona dhe se më shumë se gjysma e 11 milionë banorëve janë prekur nga ky uragan. Zyra publikoi edhe raportin me titull “Thirrjet emergjente në tetor 2016”, me të cilin bëri thirrje vendeve për ndihma.


Fjalët Kyçe: #kolera , #OBSH , #Haiti , #epidemi , #uragan , #Matthew

Lajme të ngjashme