Papa: Nëse përmend dhunën islame, duhet të flas edhe për dhunën katolike

Lideri shpirtëror i katolikëve, Papa Francesku, deklaroi të dielën se është e gabuar që islami dhe terrorizmi të lakohen përkrah njëri-tjetrit...

Papa: Nëse përmend dhunën islame, duhet të flas edhe për dhunën katolike

Lideri shpirtëror i katolikëve, Papa Francesku, deklaroi të dielën se është e gabuar që islami dhe terrorizmi të lakohen përkrah njëri-tjetrit.

“Nëse do të përmend dhunën islame, atëherë më duhet të flas edhe për dhunën katolike”, u shpreh ai.

Papa Francesku, i cili realizoi në Poloni një vizitë mes datave 27-31 korrik, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, që organizohet një herë në çdo 2 vite nga Kisha Katolike, vlerësoi vrasjen e priftit Jacques Hamel nga persona të armatosur në një kishë të Francës javën e kaluar.

“Nuk më pëlqen të flitet për dhunën islame, sepse në faqet e gazetës shoh dhunë çdo ditë. Në Itali, dikush vret të fejuarën, një tjetër vret vjehrrën dhe të gjithë këta persona janë katolikë të pagëzuar. Nëse do të përmend dhunën islame, atëherë më duhet të flas edhe për dhunën katolike apo jo?! Jo të gjithë besimtarët e islamit janë pro dhunës. Si një sallatë frutash, favorizuesit e dhunës janë përzierë edhe në besimet fetare. Një gjë është e vërtetë: Pothuajse në të gjitha fetë ka përherë një grup të vogël fundamentalist. Ka edhe tek ne”, siguroi kreu i Vatikanit pasi iu rikujtua një deklaratë e tij e mëhershme se bota është në luftë, por kjo nuk është një luftë ndërfetare.

Papa Francesku theksoi se nuk është e drejtë që të thuhet se islami është një fe terroriste.

“Ka grupe fundamentaliste. I ashtuquajturi DAESH është një shembull konkret. Por ky është vetëm një grup i vogël. Nuk është e vërtetë që islami është fe terroriste. Kjo nuk mund të thuhet; s’është e drejtë të thuhet një gjë e tillë”, nënvizoi lideri shpirtëror i katolikëve.



Lajme të ngjashme