Thaçi: Universiteti “Isa Boletini”, një ndër më bashkëkohorët në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ku u prit nga rektori i këtij institucioni të lartë arsimor, Alush Musaj.

494050
Thaçi: Universiteti “Isa Boletini”, një ndër më bashkëkohorët në Kosovë

I shoqëruar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcılar, kreu i shtetit fillimisht takoi drejtuesit dhe profesorët e këtij universiteti.

I pari i vendit së bashku me dy ministrat inspektoi punimet në kampusin e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilin e cilësoi si njërin prej universiteteve më bashkëkohore në Kosovë.

“Tani ky universitet po zbaton kriteret dhe standardet më të larta të arsimimit. Ka marrë një vlerësim shumë të lartë edhe nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, nga ekspertë ndërkombëtarë. Prandaj kjo është një nxitje edhe më shumë për neve që të investojmë”, tha presidenti Thaçi.

Ai theksoi se ndjehet mirë që tashmë ka filluar edhe ndërtimi i hapësirës së re moderne të rektoratit të këtij universiteti.

Krahas reformave jashtëzakonisht të rëndësishme në arsim, presidenti Thaçi u shpreh se universiteti “Isa Boletini” ofron një program me drejtime krejtësisht të veçanta që e bëjnë atë edhe më të fuqishëm dhe më atraktiv për të rinjtë për të ardhur për të studiuar në Mitrovicë.

Me rastin e vizitës në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndau edhe diplomën e parë që nga themelimi i këtij institucioni arsimor.

“Dua të besoj se me këtë ritëm të punëve dhe të angazhimeve, 1 tetori i këtij viti do të jetë një ditë feste këtu në qytetin e Mitrovicës, ku i tërë stafi akademik dhe studentor do të bartet në këtë kampus të ri, modern të Universitetit të Mitrovicës, prandaj uroj rektorin, të gjithë dekanët, profesorët, studentët dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës për këtë sukses të ri”, tha Thaçi.



Lajme të ngjashme