Ndryshimi i klimës, protesta ambientaliste anembanë botës

Samiti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës filloi sot punimet në Paris, por, si zakonisht, përpara tij kanë shënuar rritje protestat ambientaliste.

Ndryshimi i klimës, protesta ambientaliste anembanë botës

Anembanë globit u organizuan marshime nën moton: “Të mbrojmë planetin!”

Qindra-mijëra njerëz, nga Japonia deri në Australi, bënë thirrje për marrjen e masave të nevojshme në lidhje me luftën kundër ndryshimeve klimatike në Samitin e Klimës.

Neozelandezët këtë herë vallëzuan për klimën.

Përpara fillimit të Samitit të Klimës në Paris, ashtu si dhe në shumë vende të botës, në Zelandën e Re u organizua një marshim madhështor.

Ky marshim i veçantë me këngë, valle dhe pankarta, u mbështet nga mijëra persona, mes të cilëve edhe shumë aktorë të famshëm.

Manifestime ambientaliste u organizuan edhe në Australi, vend i cili mban rekordin botëror të emetimit më të lartë për person të gazrave me pasojë efektin serë, që konsiderohen si shkaku kryesor i ngrohjes globale.

Protestues të të gjitha moshave ngritën pankarta me mbishkrime, që theksonin pakënaqësinë nga minierat dhe burimet e tjera energjetike, që ndotin mjedisin.

Ndërsa në Japoni, simboli i marshimit për klimën ishte ariu polar.

Me anë të marshimit, që organizuan për të tërhequr vëmendjen mbi ngrohjen globale, japonezët apeluan për mbrojtjen e planetit.

Një tjetër marshim gjigant u zhvillua edhe në Filipine, shtet ky që në samitin e Parisit merr pjesë në grupin e “vendeve delikate”, të cilat do të preken më tepër dhe më shpejt nga ndryshimi i klimës.

Protestuesit bënë thirrje me flamuj dhe pankarta për më tepër solidarizim kundër ndryshimeve klimatike.

Filipinasit kërkuan që gjatë Samitit të Klimës në Paris të punohet fuqishëm për një zgjidhje të drejtë dhe urgjente, duke nënvizuar se të varfrit dhe shtetet ishullore janë ata më të prekurit nga ngrohja globale.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme