Emine Erdogan viziton kopshtin e fëmijëve "Bletëzat"

Zonja e parë e Turqisë, Emine Erdogan gjatë vizitës që bëri në kopshtin e fëmijëve “Bletëzat” në Tiranë tha se këto institucione përveçse përgatisin fëmijët e të ardhmes, formojnë edhe individë të dobishëm për shoqërinë.

Emine Erdogan viziton kopshtin e fëmijëve "Bletëzat"

Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, zonja e parë e Turqisë, Emine Erdoan (Emine Erdoğan).

Emine Erdoğan, pas mbërritjes së delegacionit nga Turqia filloi agjendën e saj të takimeve dhe aktiviteteve në Shqipëri. Fillimisht ajo mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kopshtin e fëmijëve “Bletëzat”, në Tiranë, ku pajisjet dhe baza materiale për këtë kopsht janë dhuruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

E shoqëruar edhe nga Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani, Emine Erdoan, është pritur me lule nga fëmijët e këtij kopshti, ku më pas ajo ka mbajtur një fjalim të shkurtër. Zonja e parë e Turqisë ka pohuar se këto institucione përveçse përgatisin fëmijët për të ardhmen duke iu mësuar respektin dhe dashurinë, u mësojnë atyre edhe si të jenë të dobishëm për tërë shoqërinë. Ajo iu është drejtuar stafit drejtues edhe ekipit të edukatorëve të kopshtit me fjalët se:

“Kam bindjen se këtë detyrë dhe përgjegjësi për edukimin e fëmijëve do ta kryeni në mënyrën më të mirë. Ndodheni përpara një përgjegjësie për të përgatitur fëmijët për të ardhmen e tyre. Vendet të cilat e kanë kuptuar rëndësinë e arsimit parashkollor, kanë bërë një investim të madh për të ardhmen. Duke u mësuar fëmijëve besimin, dashurinë, respektin, jo vetëm që i përgatisni ata për të ardhmen, por i përgatisni si njerëz më të mirë për shoqërinë. Unë besoj me gjithë zemër që do ta çoni deri në fund këtë mision, këtë përgjegjësi shumë të rëndësishme”.

Më pas Emine Erdoan e shoqërua edhe nga zonja e Parë e Shqipërisë ka shpërndarë dhurata për fëmijët e kopshtit “Bletëzat”, në një atmosferë ku mbizotëronin flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë.

Pjesë e ceremoninë në fjalë përveç zonjës së Parë të Turqisë, ishte Zv.Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri Nexhti Çajirlli (Necati Çayırlı), bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Fysun Bajraktar (Füsun Bayraktar), etj. Zv.Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri Nexhti Çajirlli nga ana e tij u shpreh se TIKA do të vazhdojë të ofrojë këtë lloj ndihme edhe në të ardhmen.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme