Rinia e Tiranës do të rrisë krijimtarinë në Qendrën e parë të sa

Kryeqyteti i Shqipërisë tashmë zotëron Qendrën e parë Rinore, ku pritet që rinia e vendit të mblidhet për të shprehur talentin dhe krijimtaritë e tyre, ambientin mund ta shfrytëzojnë edhe për debate dhe programe specifike me fokus rininë.

Rinia e Tiranës do të rrisë krijimtarinë në Qendrën e parë të sa

Në përurimin e qendrës ishin pjesëmarrës edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë qendër si dallëndyshen e parë që lajmëron pranverën, pasi sipas tij, qeveria synon që të hapë një qendër rinore për çdo bashki. “Është qendra e parë që do pasohet shumë shpejt nga e dyta në Korçë, pastaj një tjetër në Vlorë, e kështu me radhë, me ambicien që brenda këtij mandati të kemi qendra rinore në të gjitha bashkitë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ministri Veliaj, ndërsa i uroi të rinjve mirëseardhjen në këtë qendër rinore, u shpreh se ajo është një hapësirë e projektuar për të shpërndarë kulturë. “Ne besojmë se të rinjtë nuk kanë nevojë për kafe dhe për klubin e 1001-të. Më vjen mirë që me vendimin e djeshëm të Qeverisë do të kemi qendrën e dytë rinore në qytetin e Korçës, ku një tjetër klub do kthehet në qendër rinore. Veprat tona janë ashtu siç themi: ne besojmë tek kazinotë që kthehen në zyra pune, në klubet që kthehen në qendra rinore dhe besojmë te energjia e të rinjve tanë”, deklaroi Veliaj.

Ai ftoi drejtuesit e kësaj qendre që të organizojnë një agjendë të tillë ku çdo javë të ketë një grup të rinjsh që e shfrytëzojnë atë për të promovuar talentin, pasionin dhe aftësitë e tyre.

Themelimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë në Korrik 2014, si institucion varësie i MMSR-së në zbatim të politikave dhe strategjive për rininë, parashikon funksionimin e tij nëpërmjet qendrave rajonale rinore. Qendra e Tiranës është e para syresh. Përveçse është hapësira e vetme për të rinjtë e Tiranës, simbolikisht përfaqëson një ndërrim faqeje në filozofinë e përdorimit të hapësirave publike.

Me hapjen e qendrës në fjalë i hapet dera të rinjve të kryeqytetit për t’u rritur në empati, krijimtari dhe qytetari, duke ofruar jo vetëm mjedisin, por edhe programe specifike që ndihmojnë në kultivimin e individëve produktiv për shoqërinë dhe të ardhmen e tyre.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme