Shqipëri-Gjermani do të nënshkruajnë marrëveshjen e pensioneve

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Jorg Asmussen, deklaruan të mërkurën se dy vendet do të nisin këtë javë negociatat për nënëshkrimin e marrëveshjes.

184928
Shqipëri-Gjermani do të nënshkruajnë marrëveshjen e pensioneve

Ministri Veliaj e cilësoi këtë si një lajm të mirë për të gjithë emigrantët shqiptarë në Gjermani, si dhe konkretizim i bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve. “Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë menduar se puna e tyre në Gjermani nuk do të shpërblehej edhe me vitet e punës në Shqipëri. Do doja të inkurajoja të gjithë emigrantët shqiptarë, kudo ku jetojnë, të sigurohen dhe të mos punojnë në të zezë, në mënyrë që të përfitojnë nga marrëveshjet që ne po nënshkruajmë me vende të BE”, tha Veliaj.

Ndërsa Asmussen e vlerësoi si një bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen sociale. “Shpresoj të bëjmë progres që kjo marrëveshje të nënshkruhet në vjeshtë. Bashkëpunimi në këtë fushë është një hap konkret se si mund të punojmë me një fryme të vërtetë europiane”, tha ai.

Nga ana tjetër, Asmussen preku edhe çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, duke ndarë eksperiencën gjermane në këtë fushë. “Procesi që ne ndërmorëm ishte një ushtrim i dhimbshëm, por kombi gjerman përfitoi nga bërja e transparencës për çfarë kishte ndodhur nën diktaturë dhe e kapëm këtë mundësi historike që iu ofrua gjeneratës sonë. Tani ne jemi një komb më i bashkuar, se sa do të kishim qenë pa e kryer këtë proces dhe kjo ka ndihmuar dhe kontribuar për të ribashkuar qytetarët gjermanë pas një ndarje të detyruar. Dua t’ju inkurajoj të ecni përpara me këtë proces, sepse vendi dhe njerëzit tuaj do të përfitojnë nga rezultatet e tij”, u shpreh ai.

“Në Shqipëri ka nisur një debat i shëndetshëm për hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman dhe se mazhoranca ka vullnetin e plotë për të miratuar një ligj për hapjen e dosjeve. Ky është një ligj, i cili nuk ngjall vëllavrasjen, nuk ushqen tension social, por e maturon kombin, sjell transparencë dhe i bën mirë shoqërisë”, deklaroi Veliaj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme