Maqedoni - Shtatori, muaji më i shtrenjtë për qytetarët

Pas harxhimeve të bëra për pushimet verore, qytetarët tani duhet të ndajnë mjete shtese për veshmbathje dhe pajisje shkollore për fëmijët e tyre, për turshi dhe shumë të tjerë, për dru, për ngrohje.

Maqedoni - Shtatori, muaji më i shtrenjtë për qytetarët

Buxheti familjar në Maqedoni në muajin shtator ngarkohet tej mase, kur të merren parasysh harxhimet që janë bërë për pushimet verore dhe mjetet shtesë që duhet ndarë për veshmbathjen dhe pajisjet shkollore për fëmijët, të cilët më 1 shtator fillojnë vitin shkollor. Këtu duhet shtuar edhe shprehia e qytetarëve të Maqedonisë, të cilët gjatë këtij muaji bëjnë edhe përgatitjet për dimër si turshitë, ajvarin dhe blerjen e drurit për ngrohje. Përllogaritja jonë del se për një familje katëranëtarëshe që të mbijetojë gjatë muajit shtator I duhen dy apo tri paga mujore mesatare.

Edhe pse librat shkollore i siguron shteti për të gjithë nxënësit me çka kursehen 100-200 euro, megjithatë për ti përgatitur fëmijët për fillimin e vitit shkollor vetëm për pajisjet shkollore nevojiten afro 110 euro. Edhe përkundër faktit se sivjet çmimet për shkak të uljes së TVSH-së shënojnë një rënie të vogël prapë se prapë duhen të holla për fletore, lapsa, ngjyra çanta dhe të tjera që janë të domosdoshme për çdo nxënës. Këto dy javë pasqyrë e rëndomtë do të jetë edhe tollovia nëpër libraritë e qytetit, të cilat ofrojnë ulje çmimesh të prodhimeve të cilat më së shumti blihen.

Përveç që harxhohet në pajisjet shkollore të domosdoshme për procesin mësimor , këtu janë edhe veshmbathjet. Dhe meqë në vitin e ri shkollor nuk shkohet dot me veshmbathje të vjetër ngarkesë shtesë për prindërit është edhe kjo. Çmimet mesatare për xhaketë sillen diku rreth 20 euro, ndërkohë që xhinset dhe atletet kushtojnë diku rreth 15 euro ndërsa bluzat afro 12 euro. Dhe kur këto çmime shumëzohen me numrin e fëmijëve të cilët duhet të nisin vitin shkollor të kap shuma rreth 100 euro. Këtu gjithnjë po flasim për familjet të cilat kanë nga dy fëmijë. Por më të prekurit në këtë situatë janë familjet që kanë mbi 2 fëmijë. Sepse shuma automatikisht rritet.

Po kur buxhetit familjar I shtohen edhe harxhimet për turshitë për dimër dhe ajvarin e njohur këtu tek ne pa të cilin thuaja se asnjë familje nuk e fillon dimrin si dhe harxhimet e rëndomta mujore për komunalje, ushqim, pije , higjienë dhe të tjera një familjeje mesatare në Maqedoni do ti nevojiteshin rreth 800 euro. Ndërkohë që paga mesatare në Maqedoni arrin rreth 300 euro.

N.P.Bekteshi / Shkup


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme