Nxënësit për nxënësit: 101 arsye pse nuk duhet pirë duhan

Kjo, sipas specialistëve, ndodh pasi në këtë moshë ata nuk janë as të informuar dhe as në gjendje të imagjinojnë rreziqet që u kanosen nga duhani

Nxënësit për nxënësit: 101 arsye pse nuk duhet pirë duhan

Duhanpirja mbetet një problem shqetësues tek të rinjtë, sidomos tek ata të shkollave të mesme. Ndërkohë, studimet e ndryshme kanë treguar se fëmijët imitojnë të rriturit, duke filluar sidomos në vitet e para të adoleshencës (12 deri në 13 vjeç) të pinë duhan.

Kjo, sipas specialistëve, ndodh pasi në këtë moshë ata nuk janë as të informuar dhe as në gjendje të imagjinojnë rreziqet që u kanosen nga duhani. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik Shqiptar tregojnë se 85 % e përdoruesve të duhanit në vend e kanë nisur atë para moshës 18 vjeç.

ISHP ka nisur një fushatë sensibilizimi në shkollat e mesme të Tiranës. Sipas koordinatorit kombëtar për politikat e kontrollit të duhanit, Roland Shuperka, Sektori i Abuzimit me Substancat (duhan-alkool) në ISHP, në bashkëpunim me Aleancën Kundër Duhanit, kane mbledhur arsyetimet e nxënësve të shkollave të mesme të Tiranës dhe disa rretheve të vendit pse nuk duhet të pihet duhan, si dhe arsyet pse duhet lënë duhani.

Nxënësit e shkollave te mesme janë përgjigjur se cilat janë të mirat e të mos pirit duhan. Fletëpalosja me 101 arsyet për të lënë duhanin është rezultat i përgjigjeve te tyre.

Në arsyet për të lënë duhanin, nxënësit rendisin gjetje shumë interesante në këndvështrimin e tyre; mund të jetoni më gjatë, shija e puthjeve është më e mirë; më shumë para për të shpenzuar, frymëmarrje më e lehtë, më tepër energji për t’u argëtuar, etj.

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, 16.8 % e fëmijëve të moshës 13-15 vjeç pinë duhan. Mbi 8 në 10 nxënës, po sipas ISHP, jetojnë në shtëpi ku të tjerët pinë duhan në praninë e tyre, 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri në çdo katër persona duhanpirës, në tre prej tyre prindi (babai) ka pirë duhan, gjë që tregon se një adoleshent është shumë i prirur për t’u bërë duhanpirës në qoftë se prindërit e tij janë përdorues të rregullt të duhanit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme