BB-ja premton 200 milionë dollarë për të luftuar epideminë Ebola

Banka Botërore premton një ndihmë prej 200 milionë dollarësh për të ndihmuar Guinenë, Liberinë dhe Sierra-Leonen që të përballen me epideminë Ebola, njoftohet në një komunikatë të paraitur sot në Uashington.

BB-ja premton 200 milionë dollarë për të luftuar epideminë Ebola

Epidemia e etheve hemorragjike, që shkaktohet nga virusi Ebola, vazhdon të përhapet me shpejtësi në Afrikën Perëndimore.

Jeta pothuajse është ndalur veçanërisht në Guine, Liberi, Sierra-Leone dhe Nigeri, vendet më të prekura nga epidemia e etheve hemorragjike.

Tabloja e frikshme në Afrikën Perëndimore po shqetëson në maksimum edhe vende të tjera, ku mundësia e përhapjes së epidemisë është më e lartë.

Arabia Saudite ka vendosur që të mos pranojë vizitorë nga rajoni në fjalë.

Riadi zyrtar deklaroi se ky vendim është marrë për të parandaluar një epidemi të mundshme në Arabinë Saudite, shtet ky që mirëpret për pelegrinazh çdo vit me miliona myslimanë nga të katër anët e botës.

Autoritetet saudite njoftuan gjithashtu se po trajnojnë personelin e pikave kufitare tokësore dhe aeroporteve për diagnostikimin e virusit Ebola.

Sakaq, Banka Botërore premtoi një ndihmë prej 200 milionë dollarësh për të ndihmuar Guinenë, Liberinë dhe Sierra-Leonen që të përballen me epideminë Ebola, njoftohet në një komunikatë të paraqitur sot në Uashington.

Presidenti i BB-së, Jim Yong Kim, i cili është vetë doktor i specializuar në sëmundjet infektive, shprehu shqetësimin e tij duke theksuar se "shumë jetë janë në rrezik nëse nuk arrijmë të bllokojmë epideminë Ebola".

Deri tani, ethet hemorragjike kanë vrarë 887 persona në Afrikën Perëndimore, sipas një bilanci të fundit të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Shpallja e kësaj ndihme u bë gjatë ditës së parë të një mbledhjeje SHBA-Afrikë, që zhvillohej në Uashington dhe mblidhte delegacionet e rreth 50 vendeve afrikane.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme