Bluzat e Bardha shqiptare optimiste për të ardhmen

Studentët e mjekësisë nga trojet shqiptare që vazhdojnë studimet e larta në Turqi organizuan të shtunën (19.04.2014) në Ankara një seminar me temë "Për Një Shërbim Shëndetësor Më Cilësor”.

Bluzat e Bardha shqiptare optimiste për të ardhmen


Sot në shumicën e vendeve të botës institucioni i politikës flet me çdo rast për një shërbim shëndetësor falas, por në shumicën e rasteve interesohet më shumë e numrin e tyre që do ta ofrojnë këtë shërbim.

Shërbimi Shëndetësor Cilësor është një çështje që i ka nisur ti shqetësojë që në bankat e shkollës studentë nga Shqipëria dhe Kosova e Maqedonia që vazhdojnë studimet e larta në universitet turke.

Studentët shqiptarë nuk shqetësohen vetëm me provimet e vështira që duhet të kalojnë për të marrë një diplomë në mjekësi. Ata janë të vetëdijshëm se rruga e ofrimit të një shërbimi shëndetësor cilësor kalon nga një formim akademik dhe trajnim i mirë para se të dalin në jetë dhe të ushtrojnë këtë profesion, pasi për të pasur një shërbim shëndetësor cilësor fillimisht duhen siguruar kushte të mira për ushtrimin e profesionit të mjekut.

Për të marrë këtë edukim cilësor ata i shikon tek vrapojnë nga sallat e leksioneve në laboratorët, në klinikat dhe repartet e spitaleve gjigande turke. Nga bisedat që bëmë me këta të rinj e të reja në hollin e Qendrës Kulturore të Universitetit Hacettepe këtu në Ankara nuk e është e vështirë të kuptosh se sa të shqetësuar janë ata që sot për sistemin shëndetësor në vendin e tyre, mungesën e infrastrukturës dhe aparaturave e pajisjeve të nevojshme të spitaleve, ku ata nesër do të veshin bluzën e bardhë në shërbim të pacientëve.

Mjekët e ardhshëm shqiptarë tani janë më të organizuar, pasi janë të vetëdijshëm se kështu zëri i tyre do të dëgjohet më shumë. “Bluzat e Bardha” është emri që mban një nismë e krijuar prej tyre dhe ka marrë jetë prej disa muajsh fillimisht në rrjetet sociale dhe më vonë e shikon të hedhë firmën e saj në organizimin e seminareve.

Të shtunën që lamë pas “Bluzat e Bardha” shqiptare në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit “Hacettepe” dhe me kontributin e disa spitaleve dhe institucioneve mjekësore private në Ankara organizuan një seminar me temë “Për Një Shërbim Shëndetësor Më Cilësor”, me pjesëmarrjen e shumicës së studentëve shqiptarë që vazhdojnë ende studimet nëpër fakultete të ndryshme të mjekësisë, doktorë të diplomuar që vazhdojnë specializimin në drejtime të ndryshme, akademikë turq me origjinë shqiptare, që nuk ngurruan aspak ta ndajnë me auditorin krenarinë për origjinën e tyre, mjekë që kishin ardhur nga Shqipëria, përfaqësues nga trupi diplomatik i Shqipërisë dhe Kosovës të akredituar në Ankara.

Rektori i Universitetit “Hacettepe”, Prof. Dr. Murat Tuncer në fjalën përshëndetëse që mbajti në këtë seminar drejtuar mjekëve dhe farmacistëve të ardhshëm ndau me të pranishmit opinionet e tij nga karriera e gjatë akademike dhe profesionale duke u këshilluar bluzave të bardha se për të ofruar një shërbim shëndetësor cilësor para së gjithash duhet të jenë njerëz të mirë.

Ndërsa përfaqësuesit nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Ankara në fjalën e tyre falënderuan shtetin, qeverinë dhe popullin turk për këtë ndihmë të çmuar që po i japin Shqipërisë dhe Kosovës duke përgatitur mjekë të suksesshëm si dhe u siguruan studentëve se dyert e Ambasadës janë përherë të hapura për çdo lloj shqetësimi që do të kenë ata gjatë procesit të studimeve.

Akademikët dhe mjekët e ardhur nga Shqipëria e Kosova ndanë me studentët përvojën e tyre në punë, i njohën me problemet që hasin mjekët pas kthimit në vendet e tyre të origjinës dhe me mundësitë e punësimit në sektorin publik dhe atë privat, i informuan ata mbi sistemin shëndetësor primar dhe sistemin e mjekut familjar e mjekun e përgjithshëm në Shqipëri. Një nga mjeket me përvojë që ndau përvojën e saj ishte edhe Prof.Dr. Ruzhdie Qafmolla, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare dhe Zv.Presidente e Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, e cila në kumtesën e saj i njohu studentët me problemet që hasin mjekët stomatologë pas kthimit në vendet e tyre të origjinës dhe me mundësitë e punësimit në sektorin publik dhe atë privat.

Dr.Bilgin Sait, një mjek nga Kosova që ka përfunduar studimet e larta në Turqi dhe momentalisht vazhdon të punojë në një spital privat në Stamboll, në ligjërimin e tij i njohu pjesëmarrësit në seminar me mundësitë e punimeve shkencore Turqi-Kosovë në fushën e mjekësisë.

Ndërsa Dr.Bledar Hodo, organizatori i këtij aktiviteti, i pari i këtij lloji në Turqi, në referimin e tij foli për kriteret për të fituar të drejtën për specializim në Turqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Gjermani.

Prof. Dr. İbrahim Güllü, mjek dhe ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit “Hacettepe” u dha studentëve shqiptarë disa këshilla për rrugën që duhen të ndjekin në profesion për të qenë një mjek i mirë.

“Ndryshe nga ato konferenca apo programe që jemi mësuar të dëgjojmë e të marrim pjesë, seminari “Për një Shërbim Shëndetësor më Cilësor”, ishte një tjetër lloj organizimi në vetvete, sepse nuk ka qellim vetëm të japë informacione, por edhe të vërë në dijeni studentet që nuk janë të vetëm në rrugën e gjate, të vështire, por të bukur të profesioneve të tyre. Vizioni ynë shkon më tej se thjesht mbarimi i shkollës; është diçka më e bukur ajo që ne kërkojmë të arrijmë; të dimë se ku kemi qenë, të kuptojmë ku ndodhemi dhe të jemi së bashku kudo që e ardhmja do të na çojë dhe e vetmja gjë që urojmë në këtë moment është mbështetja juaj dhe që kjo e ardhme të zgjasë për shumë kohë”, thotë studentja nga Shqipëria Livia Qose.

Pas ligjëratave u zhvillua edhe një diskutim i hapur si dhe u shpërndanë dhuratat për referuesit.

Mjekët dhe akademikët që kishin ardhur nga Shqipëria dhe Kosova të dielën vizituan vendet historike dhe turistike të kryeqytetit Ankara të shoqëruar nga studentët e mjekësisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme