Vendet e Azisë Qendrore përballen me ndërprerje masive të energjisë elektrike

Uzbekistani, Kazakistani dhe Kirgizia, tri vende shumë të rëndësishme të Azisë Qendrore, po përballen me ndërprerje masive të energjisë elektrike.

1768147
Vendet e Azisë Qendrore përballen me ndërprerje masive të energjisë elektrike

Ministria e Energjetikës së Uzbekistanit bëri me dije se për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike në provincat Alma-Atë, Shimkent, Taraz, Turkestan dhe rajonet përreth tyre në orët e mëngjesit në Kazakistan, ndërprerje ka pasur gjithashtu në rrjetin elektrik të Kirgizisë dhe Uzbekistanit.

“Si pasojë e ndryshimit të tensionit në linjën që vjen nga Kazakistani, për shkak të incidentit në Kazakistan që prek rrjetin elektrik të Uzbekistanit, i cili është i lidhur me Rrjetin e Përbashkët të Energjisë Elektrike të Azisë Qendrore, impiantet e prodhimit të elektricitetit u ndalën automatikisht me aktivizimin automatik të sistemet e mbrojtjes në termocentralet e Tashkentit dhe Sirdarisë. Për pasojë, energjia elektrike u ndërpre në rajonet Tashkent, Fergana, Andixhan, Namangan, Sirdari, Xhizak, Samarkandë, Nevai dhe Kashkadari. Aktualisht po punohet për ndarjen e çdo termocentrali nga rrjetet e energjisë elektrike të shteteve fqinje dhe rivënien e tyre në funksion në mënyrë të pavarur”, theksohet në njoftimin e Ministrisë uzbeke të Energjetikës.

Mësohet se shërbimet e metrosë në kryeqytetin Tashkent të Uzbekistanit janë ndalur për shkak të këtyre ndërprerjeve, të cilat prekën gjithashtu disa pjesë të Kirgizisë.

Në deklaratën e bërë nga KEGOC, kompania elektrike e Kazakistanit, thuhet se ndërprerja masive e energjisë në rajon është shkaktuar nga mbingarkesa në sistemin e shpërndarjes ndërmjet vendeve.



Lajme të ngjashme