Pasuria e njerëzve më të pasur në botë dyfishohet gjatë pandemisë

Një raport i organizatës ndërkombëtare të bamirësisë “Oxfam” ka vënë në pah se pasuria e njerëzve më të pasur në botë është dyfishuar gjatë pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

1763704
Pasuria e njerëzve më të pasur në botë dyfishohet gjatë pandemisë

Siç bën të ditur Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC), raporti i publikuar nga OJQ-ja në fjalë zbuloi se pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë është rritur gjatë periudhës së pandemisë.

Raporti i “Oxfam”, titulluar “Pabarazia vret”, tregoi gjithashtu se rritje ka shënuar edhe numri i njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Danny Sriskandarajah, president i “Oxfam” në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se 163 milionë njerëz të tjerë filluan të jetojnë nën kufirin e varfërisë pas masave të mbylljes dhe kufizimeve të vendosura në turizëm, udhëtime e tregti për të frenuar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Në raport theksohet se pasuria totale e 10 emrave më të pasur në botë - Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffet - u dyfishua gjatë periudhës së pandemisë duke shkuar në mbi 1,5 trilionë dollarë.

Mes të tjerash, raporti i “Oxfam” njofton edhe se 1 person vdes çdo 4 sekonda në botë për shkak të urisë, qasjes së kufizuar në shërbimet shëndetësore, krizave humanitare të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe dhuna.

Pasi nënvizon se pandemia e ka thelluar më tej seriozitetin e pabarazisë globale, raporti i lartpërmendur tërheq vëmendjen se njerëzit e varfër në vendet më pak të zhvilluara kishin pothuajse 4 herë më shumë gjasa të vdisnin nga COVID-19.

Ky raport zbulon gjithashtu se numri i grave në marrëdhënie pune ka rënë me 13 milionë gjatë kësaj periudhe, krahasuar me vitin 2019, ndërkohë që mbi 20 milionë vajza rrezikojnë të mos kthehen më dot në shkollë.

“Oxfam” është një konfederatë e themeluar në vitin 1942 në Oksford të Anglisë, me seli në kryeqytetin Najrobi të Kenies, e cila bashkon 21 organizata bamirëse të pavarura që fokusohen në zbutjen e varfërisë globale.



Lajme të ngjashme