BE-ja: 5 banka kanë formuar kartel në tregun ndërkombëtar të këmbimit valutor

Komisioni Evropian njoftoi të enjten se bankat “UBS”, “Barclays”, “RBS”, “HSBC” dhe “Credit Suisse” kanë formuar kartel në transaksionet spot në tregun ndërkombëtar të këmbimit valutor.

1742227
BE-ja: 5 banka kanë formuar kartel në tregun ndërkombëtar të këmbimit valutor

Margrethe Vestager, ndihmëspresidentje ekzekutive e Komisionit Evropian për Një Evropë të Përshtatshme për Epokën Digjitale dhe eurokomisionere për Konkurrencën, deklaroi se kanë përfunduar hetimet në lidhje me kartelin e transaksioneve spot në tregun valutor.

“Bankat «UBS», «Barclays», «RBS», «HSBC» dhe «Credit Suisse» kanë formuar një kartel në transaksionet me euro, sterlinë britanike, jen japonez, frang zviceran, dollarë amerikan, kanadez, neozelandez e australian, si dhe me korona daneze, suedeze e norvegjeze mes viteve 2007-2013”, tha Vestager.

Zyrtarja e lartë evropiane theksoi se disa nga punonjësit e 5 bankave në fjalë, të cilët kryenin transaksionet në monedhë të huaj, ndanin informacione delikate dhe plane tregtare duke i koordinuar strategjitë e tyre të transaksioneve në dhomat e bisedave virtuale.

“Marrëveshjet e fshehta të 5 bankave kanë dëmtuar sektorin financiar. Sjellja në fjalë e këtyre bankave është në kundërshtim me rregullat e BE-së”, saktësoi ndihmëspresidentje ekzekutive e Komisionit Evropian.

Katër banka u gjobitën me gjithsej 344 milionë e 395 mijë euro, përkatësisht “HSBC” me 174 milionë e 281 mijë euro, “Credit Suisse” me 83 milionë e 294 mijë euro, “Barclays” me 54 milionë e 348 mijë euro dhe “RBS” me 32 milionë e 472 mijë euro; kurse “UBS” nuk u gjobit duke qenë se bashkëpunoi me autoritetet hetuese në zbulimin e kartelit.



Lajme të ngjashme