Kriza e etiketave midis Belgjikës dhe Izraelit

Belgjika njoftoi se vazhdon zbatimin e vendimit të Komisionit të Bashkimit Evropian, i cili ndalon përdorimin e etiketës “Prodhuar në Izrael” për produktet e eksportuara nga territoret e pushtuara dhe se politika e saj nuk ka ndryshuar.

1738743
Kriza e etiketave midis Belgjikës dhe Izraelit

Kjo deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës erdhi pasi zëvendësministri i Jashtëm izraelit, Idan Roll, anuloi kontaktet e tij në Bruksel në shenjë reagimi ndaj vendimit të qeverisë belge që Izraeli t'i etiketojë produktet e prodhuara në vendbanimet ilegale hebraike në Bregun Perëndimor si “Prodhuar në Vendbanime”, në vend të “Prodhuar në Izrael”.

Në këtë deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës për ditoren “Le Soir”, një prej gazetave me tirazh të lartë të vendit, thuhet se “politika e Belgjikës nuk ka ndryshuar dhe ky «specifikim» është në fuqi prej vitesh në formë të shkruar”.

Sipas  lajmit të publikuar në “Le Soir”, Belgjika e ka marrë këtë vendim sipas udhëzuesit të publikuar nga Komisioni Evropian rreth një vit më parë.

E përditshmja izraelite “Jerusalem Post” shkroi të mërkurën se zv/ministri Roll i anuloi kontaktet e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Parlamentin e Belgjikës pas zhvillimit në fjalë.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi në vitin 2019 se produktet ushqimore që Izraeli eksporton në BE nga Bregu Perëndimor dhe territoret e pushtuara në vitin 1967, duhet të përfshijnë në mënyrë specifike frazën “vendbanimet izraelite” në etiketat e tyre.



Lajme të ngjashme