Von der Leyen: BE-ja shumë e varur nga gazi dhe importet e gazit

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, vuri në pah se ata janë tepër të varur nga gazi natyror i importuar dhe kjo është kthyer në dobësi.

1722612
Von der Leyen: BE-ja shumë e varur nga gazi dhe importet e gazit

Ursula von der Leyen bëri një seri postimesh nga llogaria e saj në rrjetin social “Twitter” në lidhje me rritjen e çmimeve të energjisë.

Ajo deklaroi se rritja e çmimeve të energjisë prek të gjithë botën.

“BE -ja ka një situatë të veçantë në këtë drejtim. Ne jemi shumë të varur nga gazi dhe importi i gazit. BE-ja importon 90% të gazit që konsumon, një fakt që e bën bllokun të prekshëm. Kjo na bën të dobët. Situata mund të përmirësohet me një diversifikim më të madh të burimeve dhe një përshpejtim të furnizimit”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Sipas saj, gjiganti energjetik rus “Gazprom” deri tani nuk ka arritur t’i përgjigjet kërkesës në rritje të gazit nga Unioni.

“Ndërsa Gazprom-i respektoi kontratat e tij afatgjata me ne, ai nuk iu përgjigj kërkesës sonë të shtuar”, saktësoi ajo.

Kritikët e viganit energjetik rus dyshojnë se ky reagim mund të përpiqet të detyrojë hapjen e shpejtë të tubacionit të diskutueshëm “Nord Stream 2” të detit Baltik, për të cilin Rusia thotë se do të lehtësojë problemet e furnizimit, por ende është në pritje të miratimit nga Gjermania.

Rritja e çmimeve të energjisë do të jetë një temë në samitin e BE-së, i cili do të zhvillohet më 21-22 tetor.

Von der Leyen tërhoqi vëmendjen se BE-ja duhet jo vetëm të diversifikojë furnizuesit e saj të gazit, por edhe të përshpejtojë kalimin në energji të pastër.

Politikania gjermane deklaroi se qytetarët evropianë presin një përgjigje të shpejtë për këtë çështje, ndërsa theksoi se përparësia e tyre është të ofrojnë ndihmë për familjet dhe bizneset e varfra.

Shefja e KE-së theksoi se  vendet anëtare mund të ofrojnë ndihmë publike përballë rritjes së çmimeve të energjisë në përputhje me rregullat e BE-së dhe se Unioni mund të zbatojë shpejt masa të tilla si mbështetja e synuar për konsumatorët dhe ulja e taksave të energjisë.

Duke nënvizuar se Komisioni Evropian do të ndërmarrë veprime për t'i dhënë fund spekulimeve në tregjet e energjisë, Von der Leyen deklaroi se do të vlerësojnë funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe do të kontaktojnë furnizuesit e rinj të gazit.

Pasi bëri me dije se Unioni ka përshpejtuar investimet në energjinë e rinovueshme, Von der Leyen deklaroi se kanë vlerësuar gjithashtu mundësinë e krijimit të rezervave strategjike të gazit dhe blerjen e përbashkët të gazit.



Lajme të ngjashme