Libia fton firmat turke të marrin pjesë në rindërtimin e vendit

Ministri libian i Transportit kërkoi që kompanitë turke të rikthehen në Libi dhe të marrin pjesë në rindërtimin e vendit të prekur në përmasa serioze nga konflikti i armatosur që nga 2011.

1662687
Libia fton firmat turke të marrin pjesë në rindërtimin e vendit

Ministri libian i Transportit, Muhammad Salem Al-Shahoubi, tha se vendi i tij që nga viti 2011 është prekur seriozisht nga konfliktet e armatosura dhe ka kërkuar rikthimin e kompanive nga Turqia për rindërtimin e vendit.

Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria libiane e Transportit, Al-Shahoubi u takua në ministri me ambasadorin e Turqisë në Tripoli, Kenan Yılmaz.

Në takimin me ambasadorin turk, Al-Shahoubi diskutoi shumë çështje në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kërkoi ndihmë nga Turqia për heqjen e kufizimeve për fluturim mbi hapësirën ajrore të Libisë.

Ministri Al-Shahoubi ndër të tjera bëri thirrje që kompanitë turke të rikthehen në Libi dhe të marrin pjesë në rindërtimin e vendit, të dëmtuar nga konfliktet intensive që nga viti 2011 e deri më tani.

Pas revolucionit që filloi më 17 shkurt 2011 dhe i cili i dha fund pushtetit 42-vjeçar të Muammar Gaddafit, vendi u bë skenë e konfliktit të armatosur mes ushtrisë dhe disa grupeve të armatosura që kishin marrë kontrollin e disa rajoneve dhe aeroportit ndërkombëtar. Kryesisht pas përshkallëzimit të ngjarjeve në vitin 2014 shumë vende evakuuan qytetarët e tyre duke zbrazur misionet e tyre diplomatike në Libi.

Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë ranë dakord gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja në Gjenevë të Zvicrës për formimin e një qeverie të përkohshme deri në zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen më 24 dhjetor 2021. Delegatët libianë zgjodhën Mohamed Al-Menfi si kryesues i Këshillit Presidencial me tre anëtarë dhe Abdul Hamid Dbeibeh si kryeministër të ri.



Lajme të ngjashme