Turqia dhe Suedia synojnë lidhje më të forta ekonomike

Ankaraja dhe Stokholmi ranë dakord të mërkurën për të rritur tregtinë dhe investimet dypalëshe.

1634597
Turqia dhe Suedia synojnë lidhje më të forta ekonomike

Gjatë takimit të parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Turqi-Suedi (JETCO), mbajtur përmes internetit, ministri turk i Tregtisë, Mehmet Mus dhe ministrja suedeze e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Nordike, Anna Hallberg, folën për lidhjet bilaterale tregtare dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, me theks të veçantë mbi azhurnimin e Unionit Doganor Turqi-BE si dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.

Në takim u diskutuan gjithashtu efektet e pandemisë, investimet e ndërsjella, shërbimet kontraktuese, bashkëpunimi në vendet e treta, projektet e përbashkëta, bashkëpunimi ndërshtetëror në fushat si industria dhe teknologjia, energjia e rinovueshme dhe sipërmarrja e grave.

Të dyja palët vendosën një objektiv për të rritur vëllimin tregtar bilateral në një mënyrë të ekuilibruar në 5 miliardë dollarë.

“Besoj se takimi ynë do të ndihmojë në thellimin e marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike përmes një dialogu konstruktiv”, deklaroi ministri i Tregtisë, Mehmet Mus, përmes një mesazhi anglisht në rrjetin social “Twitter”.

Pavarësisht pandemisë, vitin e kaluar vëllimi tregtar i Turqisë me Suedinë u rrit në krahasim me 2019-n duke arritur në 3,1 miliardë dollarë.

Kompanitë turke kanë ndërmarrë 4 projekte kontraktuese në Suedi deri më tani dhe kostoja e tyre ka arritur në 171 milionë dollarë.

Nga viti 2002 e deri më tani, investimet turke në Suedi kanë arritur në 156 milionë dollarë, ndërsa investimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare suedeze në Turqi kanë arritur në 385 milionë dollarë.



Lajme të ngjashme