Presidentja e BERZH-it lavdëron ekonominë turke: Dinamike dhe rezistuese

Odile Renaud-Basso, presidente e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD/BERZH), deklaroi të hënën se ekonomia e Turqisë është dinamike dhe rezistuese.

1633022
Presidentja e BERZH-it lavdëron ekonominë turke: Dinamike dhe rezistuese

Ky vlerësim i shefes së BERZH-it erdhi gjatë një interviste me korrespondentin e Agjencisë Anadolli (AA), ku ajo njoftoi se do të bënte një vizitë virtuale në Turqi duke u takuar përmes internetit me autoritetet zyrtare dhe drejtuesit e sipërmarrjeve.

Duke rikujtuar se këtë vit festojnë 30-vjetorin e themelimit të BERZH-it, Renaud-Basso theksoi se Turqia ka pjesën më të madhe në portofolin e investimeve të Bankës.

“Turqia është vendi ku ne kemi aktivitetin më të madh. Ne investuam 1,7 miliardë euro në Turqi gjatë vitit 2020. Që nga dita që nisëm operacionet tona në Turqi, ne kemi investuar gjithsej 13 miliardë euro. Ky është një investim i madh”, u shpreh ajo.

Pasi bëri me dije se 94% e investimeve të tyre në Turqi janë në sektorin privat, Renaud-Basso vijoi me këto fjalë: “Pritja jonë (në vitin 2021) është të bëjmë një investim në të njëjtin nivel në Turqi, prej gati 1-1,5 miliardë eurosh. Ne shpresojmë të vazhdojmë aktivitetin tonë të fuqishëm.”

Odile Renaud-Basso vuri në pah gjithashtu se Turqia është një nga partnerët e rëndësishëm të BERZH-it.

“Gjëja më inkurajuese për ne është që sektori privat në Turqi është jashtëzakonisht dinamik”, shtoi presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po ashtu Renaud-Basso tërhoqi vëmendjen mbi dinamikën dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë turke duke nënvizuar se Turqia është një ekonomi në gjendje t'i rezistojë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).



Lajme të ngjashme