Kina ShBA-së: Hiqni kufizimet tregtare, të përmirësojmë marrëdhëniet

Kina u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të hequr kufizimet në tregtinë dhe ndërveprimin njerëzor midis dy vendeve.

1588223
Kina ShBA-së: Hiqni kufizimet tregtare, të përmirësojmë marrëdhëniet

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi gjatë fjalës së tij në Forumin Lanting organizuar në Pekin, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në proces të vlerësimit dhe rishikimit të politikës së jashtme me administratën e re (Biden).

"Ne shpresojmë që vendimmarrësit në ShBA të jenë në gjendje të përshtaten me kohën dhe të shohin qartë tendencat në botë, të lënë mënjanë paragjykimet dhe shqetësimet e pabazuara dhe të kthejnë politikën kineze në një kurs të arsyeshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve amerikano-kineze”,- tha Wang Yi.

Duke theksuar se Kina është e gatshme të marrë të gjitha masat për të mbrojtur të drejtat e kompanive amerikane në fushën e tregtisë, Wang Yi tha se administrata e Uashingtonit duhet t'u japë fund tarifave të panevojshme doganore për produktet kineze dhe sanksioneve të njëanshme ndaj ndërmarrjeve dhe institucioneve të kërkimit shkencor dhe arsimit, dhe duhet të ndalojë përpjekjet për të parandaluar zhvillimin teknologjik të Kinës.

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë së Mynihut më 19 Shkurt, u bëri thirrje aleatëve të ShBA-së që "të përgatiten së bashku për një konkurrencë strategjike afatgjatë me Kinën."

“Konkurrenca me Kinën do të jetë e vështirë. Kjo është pritja ime dhe e pranoj si të natyrshme sepse besoj në sistemin global që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mezi kanë krijuar me aleatët e tyre në rajonin Indo-Paqësor në këto 70 vjet”, kishte shtuar Biden.



Lajme të ngjashme