SHBA – Senati e miraton, Janet Yellen bëhet gruaja e parë në krye të Departamentit të Thesarit

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi të hënën kandidaturën e ish-kryetares së Rezervës Federale (FeD), Janet Yellen, e propozuar nga Presidenti Joe Biden për postin e sekretarit të Thesarit.

1571211
SHBA – Senati e miraton, Janet Yellen bëhet gruaja e parë në krye të Departamentit të Thesarit

Janet Yellen mori 84 vota pro dhe 15 kundër duke u bëtë kështu anëtarja e tretë e kabinetit Biden që kalon procesin e konfirmimit në Senat.

Më këtë miratim nga Senati, Janet Yellen u bë gruaja e parë në krye të Departamentit të Thesarit të SHBA-së dhe e 78-ta në radhë.

Ajo pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Presidentit Biden për të siguruar miratim për paketën e ndihmave prej 1,9 trilionë dollarësh në përgjigje të pandemisë së koronavirusit të ri, i cili shkakton sëmundje COVID-19. Paketa ka hasur në rezistencë të fortë nga republikanët në Senat, të cilët duan një paketë shumë më të vogël.

Duke folur pak para votimit në Senat, udhëheqësi i shumicës demokrate, Chuck Schumer, vuri në dukje se Janet Yellen gëzon mbështetje dypartiake.

Schumer tha se ajo ka një eksperiencë shumë të gjerë dhe mbështetja për të reflekton “se sa e përshtatshme është Yellen për të menaxhuar sfidat ekonomike të kohës e sidomos këtë moment krize ekonomike”.

Gjatë seancës për konfirmimin e saj në Komisionin e Senatit për Financat të premten e javës së kaluar, Yellen argumentoi se pa veprime të menjëhershme, vendi do të kërcënohej nga “një recesion më i gjatë dhe më i dhimbshëm”.

Ajo bëri thirrje për veprim të shpejtë për të miratuar paketën e ndihmave kundër goditjes së pandemisë, e cila përfshin pagesa të drejtpërdrejta prej 1.400 dollarësh për individët që fitojnë më pak se 75.000 dollarë në vit, zgjerimin e asistencës së papunësisë dhe mbështetje për bizneset e qeverisjet lokale në vështirësi.

Nga ana tjetër, shefe e Kabinetit të sekretares së Thesarit, Janet Yellen, do të jetë ekonomistja me origjinë turke, Didem Nisanci.



Lajme të ngjashme