Ekonomia turke u rrit me 6,7% në tremujorin e tretë
Ekonomia turke regjistroi një normë rritjeje prej 6,7% në tremujorin e tretë të vitit 2020 pavarësisht pandemisë së koronavirusit, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Instituti Turk i Statistikave (TurkStat).

Instituti i Statistikave të Turqisë (TurkStat) publikoi të hënën (30.11.2020) shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e tretë të vitit (periudhën korrik-shtator).
PBB në tremujorin e tretë të vitit është rritur me 6,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, pavarësisht ndikimeve të pandemisë së koronavirusit të llojit të ri (Covid-19).
Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit (PBB) me çmimet aktuale në periudhën korrik-shtator është llogaritur në 1,4 trilionë lira turke (197,4 miliardë dollarë), tha TurkStat.
Kjo shifër është shumë më e lartë se pritjet e tregut, pasi një panel prej 17 ekonomistësh të anketuar nga Anadolu Agency (AA) kishin vlerësuar të enjten se ekonomia turke do të zgjerohej me 5% në të njëjtën periudhë.
Ata parashikuan gjithashtu që PBB vjetore e Turqisë në 2020 do të rritet me 0,3% mesatarisht, por shifra befasuese ka të ngjarë të rrisë parashikimet për në fund të vitit.
Programi i ri aktual ekonomik në fuqi gjithashtu parashikon që ekonomia turke të rritet 0,3% këtë vit. Ekonomia parashikohet të zgjerohet me 5,8% në 2021, pasi do të vihen në lëvizje konsumi dhe investimet e shtyra dhe të ardhurat nga turizmi të normalizohen.
Objektivi i programit ekonomik është një PBB me vlerë 702 miliardë dollarë për vitin 2020 dhe 735 miliardë dollarë për vitin e ardhshëm.
PBB-ja e vendit u zgjerua me 4,5% në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe u tkurr me 9,9% në të dytin për shkak të efekteve të pandemisë në ekonomi.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, PBB-ja e korrigjuar nga ndikimet sezonale dhe kalendarike në periudhën korrik-shtator u rrit me 15,6%, referuar të dhënave të TurkStat.
Po ta analizojmë PBB në bazë të aktiviteteve që e përbëjnë atë, në tremujorin e tretë aktivitetet financiare dhe të sigurimeve u rritën me 41,1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Gjithashtu shifrat janë rritur me 15% në sektorin e informacionit dhe komunikimit, me 8% në industri, 6,4% në ndërtim, 6,2% në bujqësi, 6% në shërbimet e tjera, 2,8% në pasuritë e patundshme, 2,4% në aktivitetet e shërbimeve publike si: menaxhimi publik, arsimi, shëndeti i njeriut dhe shërbimet e tjera sociale.
Vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve - tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti, magazinimi, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit - u rritën me 0,8% në bazë vjetore, pasi ky sektor u godit më rëndë nga pandemia e re e koronavirusit.
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank në vlerësimin që u ka bërë shifrave të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e tretë të vitit në profilin e tij në «Twitter» ka thënë se Turqia ka një infrastrukturë të fortë prodhimi.
“Me ndikimin e prodhimit dhe kërkesës së shtyrë pas pandemisë arritëm që në tremujorin e tretë të regjistrojmë një rritje prej 6,7%. Vazhdojmë të planifikojmë periudhën në vijim në varësi të ecurisë së pandemisë. Objektivi është të vazhdojmë me një rritje të shëndoshë dhe të qëndrueshme”, shkruan ministri Varank në «Twitter».