ShBA rivendos të gjitha sanksionet e OKB-së kundër Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pretendoi se Irani nuk u është përmbajtur detyrimeve të përcaktuara në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), i njohur edhe si marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe vendeve perëndimore (P5+1).

1493921
ShBA rivendos të gjitha sanksionet e OKB-së kundër Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) njoftuan rivendosjen e sanksioneve të hequra nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në kuadrin e marrëveshjes bërthamore të bërë më parë me Iranin.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo lëshoi një deklaratë me shkrim mbi sanksionet e reja që kanë nisur të zbatohen kundër qeverisë së Teheranit.

Duke pretenduar se Irani nuk i respekton detyrimet që rrjedhin nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), i njohur si marrëveshja bërthamore me vendet perëndimore, Pompeo tha:

“Lëshimet e bëra i kanë forcuar këto regjime gjatë historisë. Për këtë arsye, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), që nga kjo e shtunë, ne rivendosim të gjitha sanksionet e anuluara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe ne do të zbatojmë të gjitha sanksionet që zënë vend në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit (rezolutat nr. 1696, 1737, 1747, 1803, 1835 dhe 1929).

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndërmorën këtë hap vendimtar sepse, përveç performancës së dobët të Iranit në përmbushjen e detyrimeve të tij sipas Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), Këshilli i Sigurimit nuk ka zgjatur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara mbi Iranin, e cila ka qëndruar në fuqi për 13 vjet. Mosveprimi i Këshillit të Sigurimit do t'i hapë rrugë Iranit për të blerë armë konvencionale që nga 18 tetori. Për fat të mirë, ShBA-të i morën masat e nevojshme për ta parandaluar këtë",- u shpreh Pompeo.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha vendeve të OKB-së që t'i binden këtij vendimi lidhur me sanksionet e reja amerikane, duke sqaruar se sanksionet përfshijnë gjithashtu ndalimin e pasurimit dhe përpunimit të uraniumit nga ana e Iranit, testimin dhe zhvillimin e raketave balistike dhe transferimin e teknologjive përkatëse në këtë vend.

Pompeo gjithashtu shtoi se ShBA-ja do të vendosë sanksione edhe ndaj vendeve që nuk veprojnë në përputhje me sanksionet dhe që do të bashkëpunojnë me Iranin për çështjet e lartpërmendura.

Më herët ShBA kishte pretenduar se stoku i uraniumit të Iranit kishte tejkaluar 10-fishin e sasisë së lejuar në JCPOA dhe e kishte akuzuar Këshillin e Sigurimin të OKB-së për neglizhencë ndaj kësaj.

Kurse tre vendet evropiane (Franca, Gjermania dhe Italia, të njohura si E3) dhe vende të tjera anëtare i kishin refuzuar vendimet e ShBA-së për rivendosjen e sanksioneve dhe kishin bërë të ditur se ato preferojnë rrugën e negociatave me Iranin.

 


Lajme të ngjashme