Koronaviursi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova diskutojnë hapjen e kufijve

"Insistimi ynë është që gradualisht me përmirësimin e situatës ta lehtësojmë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave dhe bizneseve të ndryshme të tjera që janë në nevojë të vendeve tona", u shpreh ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.

1488421
Koronaviursi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova diskutojnë hapjen e kufijve

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka pritur në takim homologun e tij nga Kosova, Armend Zemaj, i cili po qëndron për vizitë pune në Shkup, ku dy krerët e shëndetësisë njoftuan se është diskutuar edhe mbi regjimin e kalimit të kufijve, vendim që pritet të merret javën e ardhshme.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) kanë mbyllur kalimet kufitare në mënyrë të ndërsjelltë dhe qytetarëve të dy vendeve për të kaluar kufirin u nevojitet test negativ i koronavirusit jo më i vjetër se 72 orë.

Pas takimit, i cili u mbajt në hapësirat e Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup, Filipçe tha se bisedimet me homologun e tij ishin "shumë të frytshme", pasi u shkëmbyen informacione mbi pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi si dhe u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë midis dy vendeve.

Filipçe njoftoi se në takim është diskutuar edhe për takimin e pritur të grupeve punuese të vendeve të rajonit, i cili do të fokusohet në shkëmbimin e informacioneve epidemiologjike të pandemisë COVID-19 në rajon. Ai tha se grupet punuese të vendit të tij dhe Kosovës tashmë janë caktuar dhe presin që edhe vendet e rajonit të njoftojnë për grupet e tyre punuese.

"Kjo do të na ndihmojë të kemi një kuptim më të mirë të epidemisë në të gjitha vendet dhe në bazë të saj do të merren vendime të përbashkëta, për diçka që na prek të gjithëve, mbi të gjitha këtu mendoj për regjimin e kalimit të kufijve. Për atë vendim se si do të jetë ai regjim, do të vendosim javën e ardhshme", tha Filipçe.

Nga ana tjetër, ministri Zemaj tha se qëllimi i vizitës së tij në Shkup ka të bëjë me avancimin e raporteve të dy vendeve fqinje në aspektin e shëndetësisë.

Duke folur për grupet punuese të të dy vendeve mbi shkëmbimin e informacioneve epidemiologjike, Zemaj tha se kjo gatishmëri tregon se më e mira mund të arrihet së bashku dhe shtoi se do të insistojnë që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë edhe në vendet e tjera të rajonit.

"Insistimi ynë është që gradualisht me përmirësimin e situatës ta lehtësojmë edhe lëvizjen e lirë të qytarëve, mallrave dhe bizneseve të ndryshme të tjera që janë në nevojë të vendeve tona", u shpreh Zemaj, duke shtuar se çfarëdo vendimi që do të merret në aspekt shëndetësor do të vendoset bashkarisht.

Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka raportuar gjithsej 15.293 raste COVID-19, përfshirë 634 viktima dhe 12.754 të shëruar ndërsa Kosova ka raportuar gjithsej 14.377 raste, përfshirë 574 viktima dhe 10.926 numri i të shëruarve. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme