Holanda do të dëmshpërblejë për humbjet civile në sulmin ajror të 2015-s në Mosul

"Fakti që Holanda dëmshpërblen me vullnetin e saj të lirë humbjet materiale dhe jomateriale të Razzos nuk do të thotë se ajo pranon përgjegjësinë," tha ministrja holandeze Mbrojtjes, Ank Bijleveld.

1487564
Holanda do të dëmshpërblejë për humbjet civile në sulmin ajror të 2015-s në Mosul

Ministrja e Mbrojtjes së Holandës, Ank Bijleveld në letrën që i ka dërguar Parlamentit holandez njofton dëmshpërblimin e irakianit Bassim Razzo, i cili humbi katër anëtarët e familjes në operacionin ajror të 21 shtatorit 2015 kundër një shtëpie, që ishte supozuar se i përkiste organizatës terroriste DAESH në Mosul të Irakut.

"Fakti që Holanda do të paguajë dëmshpërblim me vullnetin e saj të lirë për humbjet materiale dhe jomateriale të Razzos nuk do të thotë se ajo pranon përgjegjësinë," deklaroi ministrja.

Shuma e dëmshpërblimit në fjalë nuk dihet ende, por avokatja Liesbeth Zegveld (mbrojtësja e Razzo) kishte ngritur kundër Ministrisë së Mbrojtjes një padi dëmshpërblimi me vlerë 2 milion euro.

Gjatë një operacioni të forcave të koalicionit kundër organizatës terroriste të DAESH-it në Mosul të Irakut shtëpia e Razzo ishte goditur më 21 shtator 2015 nga një avion holandez «F-16» për shkak të një informacioni të gabuar. Si pasojë e këtij sulmi kishin humbur jetën bashkëshortja e Razzos, vajza, vëllai dhe një kushëri i tij.

Nga një hetim i bërë më pas për këtë sulm doli se në sulmin, që supozohej se ishte kryer kundër një fabrike bombash, ishte rrafshuar njësh me tokën një lagje e tërë në Al-Havixha dhe ky ka qenë edhe "një nga sulmet më të përgjakshme të forcave të koalicionit" në luftën kundër DAESH-it.



Lajme të ngjashme