Zaev paralajmëron stabilitet dhe parashikueshmëri ekonomike

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi stabilitet dhe parashikueshmëri në periudhën e ardhshme dhe masa të reja për ekonominë dhe qytetarët.

1483622
Zaev paralajmëron stabilitet dhe parashikueshmëri ekonomike

Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) organizoi të mërkurën një takim zyrtar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe ekipin ekonomik të qeverisë së re.

Në takim morën pjesë edhe zv/kryeministri për Çështje Ekonomike dhe ministrat përkatës në Qeveri, si dhe kryesia e LOEM-it.

Kryeministri Zaev në një deklaratë për media para fillimit të takimit paralajmëroi stabilitet dhe parashikueshmëri në periudhën e ardhshme dhe masa të reja për ekonominë dhe qytetarët dhe një periudhë prej katër vjetësh në të cilën, siç tha ai, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Qeveria është këtu për të ndihmuar, për të zgjatur dorën, për të dhënë mbështetje kur është vështirë. Përmes këtij mesazhi, unë dua të porosis të gjithë qytetarët se shteti është i qëndrueshëm, se shteti ekziston për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë", tha Zaev.

Sipas tij, vendin e pret një periudhë e qëndrueshme në politikën e taksave, ndërsa ai u shpreh se pret një luftë të përbashkët me odat ekonomike kundër ekonomisë së zezë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së përfaqësuesve të mediave rreth largimeve të punëtorëve nga puna që ndodhën së fundmi, Zaev tha se menjëherë do të angazhohet me masa në mënyrë që shteti të ndihmojë në mbrojtjen e çdo vendi të punës.

"Në mënyrë jo të natyrshme, numrat janë rritur nga 12-13 mijë në 22-23 mijë, diku sipas disa statistikave dhe në 30.000 të papunë që ndodhën në këtë periudhë. Por jo 140 mijë apo 100 mijë. Çdo vend pune është i rëndësishëm për ne. Mesazhi i parë është që afaristët të dinë se shteti vazhdon të ndihmojë", tha Zaev.

Nga LOEM u shprehën se shpresojnë që procesi i miratimit të masave të reja kundër krizës do të jetë gjithëpërfshirës dhe se të gjitha ndërmarrjet që përballen me krizë financiare, do të fitojnë ndihmën e duhur për të cilën kanë nevojë.

"Ndër prioritetet tjera për të cilat angazhohet LOEM, ndërsa tani e shohim se ato janë përcaktuar dhe vendosur në programin e ri të qeverisë, është heqja dhe ulja e konsiderueshme e detyrimeve fiskale", tha kryetarja e LOEM-it, duke shtuar se gjithashtu do të përqendrohen edhe në luftën kundër korrupsionit.

LOEM përfaqëson mbi 35 oda ekonomike dhe organizata tjera. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme