Pekcan: 44 firma ndërtimi turke në listën e 250 më të mëdhave në botë

Ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, deklaroi të martën se 44 firma ndërtimi turke janë renditur në mesin e 250 kompanive të ndërtimit më të suksesshme të vitit 2019, sipas të dhënave të Regjistrit të Lajmeve Inxhinierike (Engineering News-Record – ENR).

1479051
Pekcan: 44 firma ndërtimi turke në listën e 250 më të mëdhave në botë

 

Ruhsar Pekcan mori pjesë në mbledhjen ku publikohen rezultatet për Turqinë të listës “250 Ndërtuesit Ndërkombëtarë më të Mëdhenj të Botës” të revistës “ENR”, organizuar nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Turqisë (TMB).

Ajo theksoi se në vitin 2018 ishin 7 firma turke në mesin e 100 të parave, ndërsa në 2019-n ky numër u rrit në 9 dhe njëra prej tyre hyri në mesin e 30 të parave.

“Sipas të dhënave të sivjetme të revistës «ENR», ndër 250 firmat e ndërtimit më të suksesshme të vitit 2019, 44 ishin firma turke. Duke marrë për bazë këto shifra, Turqia në listën e 250 më të mëdhave të ENR-së renditet e dyta për nga numri i firmave dhe e shtata për nga të ardhurat. Shpresoj që këto ngjiten edhe më lart”, tha ministrja turke e Tregtisë.

Duke theksuar se një sektor po kaq i rëndësishëm sa ndërtimtaria është edhe ai i konsulencës teknike, Pekcan bëri me dije se janë 6 kompani turke në mesin e 225 ndërmarrjeve më të suksesshme të projektimit.

Aktualisht – vijoi ministrja – sektori turk i ndërtimit ka 10.274 projekte me vlerë 407 miliardë dollarë në 127 shtete të botës dhe kjo do të thotë se gjatë 18 viteve të fundit, nga viti 2002 e këtej, vëllimi i biznesit të kontraktuesve turq jashtë shtetit është mbi 357 miliardë dollarë; ndërkohë që në 3 dekadat para tyre, nga viti 1972 deri në vitin 2002, ky vëllim ishte vetëm 50 miliardë dollarë.

Sa i përket konsulencës teknike, Ruhsar Pekcan vuri në pah se vëllimi i biznesit të këtij sektori është rreth 2,5 miliardë dollarë në total duke përfshirë projekte në 118 vende të ndryshme të botës.



Lajme të ngjashme