Le Maire: Tërheqja e SHBA-së nga negociatat për taksimin e gjigantëve të internetit, një “provokim”

Ministri i Financave të Francës, Bruno Le Maire, e ka cilësuar si “provokim” tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga bisedimet që po realizohen në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

1438804
Le Maire: Tërheqja e SHBA-së nga negociatat për taksimin e gjigantëve të internetit, një “provokim”

Gjatë një interviste mëngjesin e së enjtes në radiostacionin “France Inter", Le Maire bëri me dije se letra zyrtare që shpall tërheqjen e SHBA-së nga bisedimet në OECD për një qasje ndërkombëtare për taksimin e firmave gjigante të shërbimeve digjitale, i është dërguar Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Spanjës.

Duke e cilësuar këtë si një provokim, ministri francez i Financave theksoi se ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje për taksimin digjital në një kohë kur gjigantët e internetit janë të vetmit në botë që kanë përfituar jashtëzakonisht nga kriza e koronavirusit.

“Çfarë është kjo sjellje e SHBA-së me kërcënime të vazhdueshme për sanksione kundër aleatëve të saj”, pyeti ai.

Pasi vuri në pah se nuk kanë hequr dorë nga tatimi mbi fitimin që sigurojnë në Francë gjigantë të internetit si “Google”, “Amazon” e “Facebook” dhe se këtë do ta aplikojnë gjatë këtij viti në mënyrë retroaktive nga 1 janari 2019; Le Maire sqaroi se me Londrën, Romën dhe Madridin po formulojnë një përgjigje për letrën e SHBA-së duke shtuar se kërkojnë që kompanitë shumëkombëshe amerikane në fjalë të paguajnë një taksë të drejtë dhe sa më parë të jetë e mundur.

“Ose SHBA-ja ndryshon qëndrim dhe arrijmë një marrëveshje deri në fund të vitit 2020 për aplikimin e një takse ndërkombëtare, ose nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje në OECD për shkak të tërheqje së SHBA-së nga negociatat, sepse SHBA-ja është i vetmi shtet që i ka ngrirë bisedimet. Në këtë rast, ne do ta aplikojmë vetë tatimin”, nënvizoi ministri francez i Financave.

Taksa globale për gjigantët e internetit ka qenë objekt diskutimesh që nga vera e kaluar, një debat që nisi pas vendimit të Francës për të vendosur një tatim prej 3% në fillim të korrikut 2019 për korporatat e shërbimeve digjitale që bëjnë biznes në vend, të tilla si “Apple”, “Google”, “Facebook”, dhe “Twitter”.

Pritet që Franca të sigurojë 650 milionë euro të ardhura nga tatimet që do t'u aplikohen rreth 30 kompanive që bëjnë biznes nëpërmjet internetit, mes të cilave vlen të përmenden sidomos “Google”, “Amazon”, “Facebook”, “Apple”, “Twitter” dhe “Instagram”.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Jose Angel Gurria, paralajmëroi për rrezikun e një lufte tregtare pas tërheqjes së SHBA-së nga bisedimet për një qasje ndërkombëtare për taksimin e firmave gjigante të shërbimeve digjitale.

Sipas tij, trajtimi i sfidave tatimore që vijnë nga digjitalizimi i ekonomisë, është vonuar shumë.

“Pa një zgjidhje shumëpalëshe, vendet do të përdorin masa të njëanshme duke shkaktuar mosmarrëveshje tatimore dhe pashmangshmërisht rritje të tensioneve tregtare”, theksoi ai.

Gurria shtoi se një luftë tregtare, veçanërisht në këtë periudhë kur ekonomia botërore po kalon një rënie historike, do të dëmtonte më tej ekonominë, vendet e punës dhe besimin.



Lajme të ngjashme