Venezuelë – Mbërrin anija e tretë cisternë me karburant nga Irani

Venezuela njoftoi se anija e tretë cisternë iraniane, nga gjithsej pesë të ngarkuara me karburant, ka hyrë të martën në ujërat territoriale të vendit.

1424209
Venezuelë – Mbërrin anija e tretë cisternë me karburant nga Irani

Sipas një artikulli të publikuar në uebfaqen e televizionit venezuelas “TeleSur”, një prej rrjeteve transmetuese më të mëdhenj të Amerikës Latine, anija cisternë e quajtur “Petunia”, e cila ka hyrë pa asnjë problem në ujërat territoriale të Venezuelës, është shoqëruar nga një motoskaf i Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane (FANB).

Anija e parë cisternë iraniane e ngarkuar me karburant mbërriti në Venezuelë ditën e shtunë dhe e dyta të martën më herët, ndërsa 3 të tjerat pritet të ankorohen në ujërat territoriale të shtetit latin deri më 1 qershor.

Televizioni shtetëror iranian pati njoftuar ditë më parë se anijet cisternë “Fortune”, “Forest”, “Petunia”, “Faxon” dhe “Clavel”, të ngarkuara me gjithsej 1 milion e 53 mijë fuçi naftë, janë nisur drejt Venezuelës.

Rafineritë e Venezuelës, një prej shteteve me rezervat më të mëdha të naftës në botës, nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë efektiva për shkak të sanksioneve dhe krizës ekonomike; ndërsa Irani përballet me vështirësi serioze në shitjen e naftës që prodhon, si pasojë e sanksioneve të rënda të aplikuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, pati kërkuar ndihmë nga Irani për të parandaluar mungesën e benzinës në vend për shkak të mosfunksionimit të rafinerive. Irani i qe përgjigjur brenda një kohe të shkurtër duke nisur drejt Venezuelës pesë anije cisternë të ngarkuara me karburant.



Lajme të ngjashme