Venezuelë – Mbërrin anija e dytë cisternë me karburant nga Irani

Venezuela njoftoi se anija e dytë cisternë iraniane, nga gjithsej pesë të ngarkuara me karburant, ka hyrë të martën në ujërat territoriale të vendit.

1423606
Venezuelë – Mbërrin anija e dytë cisternë me karburant nga Irani

“Ne kemi filluar të shoqërojmë anijen cisternë të quajtur «Forest», e cila ka hyrë pa asnjë problem në ujërat territoriale të vendit tonë”, njoftoi Flota e Venezuelës përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social “Twitter”.

Kurse Forcat Ajrore të Venezuelës bënë me dije se do ta shoqërojnë këtë anije cisternë deri në portin e El-Palitos, qytet në shtetin verior Carabobo.

Nga ana tjetër, anija e parë cisternë me emrin “Fortune”, e cila hyri të hënën në ujërat territoriale venezuelase, ka mbërritur në portin e El-Palitos dhe ka nisur shkarkimin e naftës që ka çuar në këtë vend.

Televizioni shtetëror iranian pati njoftuar ditë më parë se anijet cisternë “Fortune”, “Forest”, “Faxon”, “Petunia” dhe “Clavel”, të ngarkuara me gjithsej 1 milion e 53 mijë fuçi naftë, janë nisur drejt Venezuelës.

Rafineritë e Venezuelës, një prej shteteve me rezervat më të mëdha të naftës në botës, nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë efektiva për shkak të sanksioneve dhe krizës ekonomike; ndërsa Irani përballet me vështirësi serioze në shitjen e naftës që prodhon, si pasojë e sanksioneve të rënda të aplikuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, pati kërkuar ndihmë nga Irani për të parandaluar mungesën e benzinës në vend për shkak të mosfunksionimit të rafinerive. Irani i qe përgjigjur brenda një kohe të shkurtër duke nisur drejt Venezuelës pesë anije cisternë të ngarkuara me karburant.



Lajme të ngjashme