Turqia hap turizmin shëndetësor për 31 vende duke filluar nga 20 maji

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije të shtunën se Turqia do të pranojë pacientë nga 31 vende që nga data 20 maj në kuadër të lehtësimit të masave kufizuese të koronavirusit.

1418550
Turqia hap turizmin shëndetësor për 31 vende duke filluar nga 20 maji

Një letër zyrtare e Ministrisë rendit kushtet e pranimit për pacientët, hyrjen në vend, pranimin në spital, rregullat e trajtimit, daljes nga spitali dhe izolimit.

Ajo gjithashtu paraqet masat që duhen marrë për pacientët dhe shoqëruesit e tyre.

Vendet e përfshira janë Iraku, Libia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turkmenia, Uzbekistani, Kazakistani, Greqia, Ukraina, Rusia, Xhibuti, Algjerin, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Rumania, Serbia, Bullgaria, Moldavia, Somalia, Kuvajti, Katari, Bahrejni, Omani, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Pakistani, Kirgizia dhe Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV).

Pacientët që do të pranohen në Turqi për kurim, janë ata të ortopedisë dhe traumatologjisë, kirurgjisë së përgjithshme, kirurgjisë pediatrike, urologjisë, sëmundjeve të syrit, kardiologjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, onkologjisë kirurgjike, kirurgjisë së onkologjisë gjinekologjike, onkologjisë mjekësore, onkologjisë rrezatuese, neurokirurgjisë, hematologjisë, kujdesit intensiv, teknologjisë së riprodhimit të asistuar, transplantimit të organeve dhe transplantimit të palcës kockore.

Kandidatët do të regjistrohen në skemën e pacientëve të Shërbimeve Shëndetësore Ndërkombëtare (USHAŞ) dhe pas aprovimit, letra e tyre e lejes do t'u dërgohet institucioneve përkatëse. Dokumentet e nevojshme për paramiratim do të shpallen nga USHAŞ-ja.

Turqia nuk do të pranojë më shumë se dy shoqërues për pacient. Pacientët dhe shoqëruesit e tyre duhet t'i nënshtrohen testit PCR për COVID-19 ose mostrat e tyre për testin PCR do të merren kundrejt një tarife kur të hyjnë në Turqi nga aeroportet ose pikat kufitare tokësore.

Nëse ka një test të disponueshëm për COVID-19 në vendin e tyre, pacientëve u kërkohet të bëjnë testin jo më tepër se 48 orë para udhëtimit të tyre dhe të marrin me vete rezultatin e testit PCR për të vërtetuar se nuk janë të infektuar me koronavirusin e ri.

Vetëm individët që kanë rezultuar negativë ndaj COVID-19 do të lejohen të hyjnë në vend.

Pas hyrjes në Turqi, pacientët dhe shoqëruesit e tyre do të dërgohen direkt në spitalet, ku ata kanë një takim. Atyre nuk do t'u lejohet të strehohen askund tjetër.

Një kat apo korridor i këtyre spitaleve do të ndahet vetëm për pacientët që vijnë nga jashtë shtetit.



Lajme të ngjashme