SHBA – Trump: Kritikat për rihapjen e vendit janë politike

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të enjten se ai mendon që demokratët nuk mbrojnë nxitimin për rihapjen e vendit për ta dëmtuar atë politikisht në zgjedhjet e nëntorit dhe jo për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19).

1417475
SHBA – Trump: Kritikat për rihapjen e vendit janë politike

I pyetur gjatë një interviste në rrjetin "Fox Business", transmetuar në orën e mëngjesit, nëse ai beson se kritikët e tij duan të shkojnë në zgjedhjet presidenciale nën ekonominë e mbyllur, Trump u përgjigj me fjalët: "Po, unë besoj. Unë mendoj se kjo është një çështje politike."

Kurse pyetjes së moderatores Maria Bartiromo nëse rihapja "sa më shpejtë që të jetë e mundur" do të vinte paratë përpara jetës, Trump ia ktheu duke thënë se amerikanët pajtohen me të.

"Njerëzit që duan të shohin të ndodhin gjërat e duhura, pajtohen me mua. Ne duhet ta hapim vendin tonë", tha ai.

"E dini, nëse do të ishte në dorë të disa njerëzve, do ta mbanin të mbyllur për një kohë të gjatë dhe të shikonim Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u zhytur. Nuk do të ndodhë. Asnjëherë nuk do të ndodhë nën drejtimin tim", shtoi Trump.

Ai theksoi se nuk pajtohet me dr. Anthony Fauci, drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, për masat e nevojshme për rihapjen e shkollave.

"Ne duhet t'i hapim shkollat, duhet ta bëjmë vendin tonë të hapur, ne duhet ta hapim vendin tonë. Tani duam ta bëjmë atë në mënyrë të sigurt, por gjithashtu duam ta bëjmë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Ju tashmë keni zhurmë në rrugë, nuk mund ta lejojmë këtë. Ne duhet ta hapim vendin. Unë nuk jam plotësisht dakord me të lidhur me shkollat", tha Trump.

Presidenti amerikan e argumentoi këtë duke thënë se të rinjtë janë "shumë pak të prekur" nga pandemia.

Fauci i tha Senatit në fillim të kësaj jave se mund të ketë pasoja "serioze" nëse shtetet nuk ndjekin udhëzimet për rihapjen gjatë pandemisë së koronavirusit dhe e bëjnë hapjen shumë shpejt.

Ai paralajmëroi në mënyrë të veçantë se nuk ka përgjigje të qartë se si të rihapen sistemet e ndryshme shkollore të vendit duke thënë se nuk ka gjasa që vaksina të jetë e gatshme deri në vjeshtë.

Ndërkohë që aftësia e testimit të SHBA-së ngre akoma shqetësime të shumë ekspertëve dhe politikanëve, Trump tha se ata e kanë "më të mirin në botë deri tani"

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i goditur nga pandemia me mbi 85 mijë vdekje dhe 1,4 milionë të infektuar, sipas të dhënave të Universitetit "Johns Hopkins".

Që kur u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në mbarë botën duke infektuar gati 4,5 milionë njerëz dhe shkaktuar rreth 300 mijë të vdekur, ndërsa 1,67 milionë pacientë janë shëruar. / AA



Lajme të ngjashme