Turqia e 7-ta në Evropë për investime të huaja në energjinë e rinovueshme

Me 19 projekte investimesh të huaja direkte në energjinë e pastër, Turqia është renditur e 7-ta në Evropë në listën e vendeve që tërheqin më shumë investime të huaja në energjinë e rinovueshme.

1416807
Turqia e 7-ta në Evropë për investime të huaja në energjinë e rinovueshme

“fDi Magazine”, një botim dymujor i gazetës britanike “Financial Times” që ofron një përmbledhje të azhurnuar të aktivitetit të investimeve globale, publikoi rezultatet e hulumtimit të quajtur “Destinacionet për Investime në Energjinë e Rinovueshme në Evropë 2020”.

Sipas kësaj, shtetet avangardë në sektorin e energjisë së pastër u vlerësuan në dy kategori, të cilat janë numri i projekteve të investimeve të huaja dhe investimet në energjinë e pastër në raport me popullsinë.

Turqia u rendit e 7-ta në listën e destinacioneve kryesore për investime të huaja direkte (FDI) në burime të ripërtëritshme, sipas listës së publikuar nga “fDi Magazine”.

Sekretari i përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Izmirit (IZKA), Mehmet Yavuz, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Anadolli (AA), tha se Turqia ka ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar mjedisin e saj të investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht përmes legjislacionit të ri, duke ofruar stimuj për investitorët e huaj, por edhe në futjen e një strukture të re të tenderit për të zgjeruar pajisjet e prodhuara në vend që janë të nevojshme për sektorin e ripërtëritshëm.

Yavuz shpjegoi se përmes punës së IZKA-s për mbështetjen dhe forcimin e sektorit të energjisë së pastër duke krijuar punësim në sektorin e rinovueshëm në të gjithë Turqinë, Izmiri ka qenë zona kryesore e përqendrimit.

“Izmiri është në pararojë kur bëhet fjalë për energjinë e erës (eolike) dhe prodhimin e pajisjeve. Ai është bërë një qendër tërheqëse për investitorët e huaj me lehtësirat logjistike dhe portuale, fuqinë e kualifikuar të punës dhe nënindustrinë e zhvilluar”, tha ai.

Përveç kompanive të mëdha ndërkombëtare si “Enercon”, “Siemens Gamesa”, “General Electric LM Wind Power”, konglomerateve “TPI” e “CS Wind”, në Izmir prodhojnë pajisje të energjisë së pastër edhe firma lokale si “Ates Celik”, “Dirinler Dokum”, “Norm Civata”, “GIMAS” dhe “Tibet Makina”.

Sipas kreut të IZKA-s, arritja e rajonit të Egjeut si një qendër prodhimi si për prodhuesit e pajisjeve kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare, ndjek suksesin e Izmirit si ofrues i një zinxhiri të fortë furnizimi, i cili ka kontribuar në suksesin e Turqisë në sektorin e energjisë së rinovueshme.

Ai bëri thirrje për investime më të mëdha në prodhimin e pajisjeve për të forcuar pozicionin e Turqisë në sektorin global të energjisë së ripërtëritshme.

Puna e IZKA-s përfshin gjithashtu zhvillimin e Izmirit si një pionier në investimet për prodhimin e energjisë eolike në det të hapur, së bashku me mbështetjen e tij si për investitorët e huaj ashtu edhe për firmat vendëse në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës për të rritur punësimin në energji të rinovueshme.

Me erërat e saj të forta, zona turke e Egjeut është e përshtatshme për prodhimin e energjisë eolike dhe pret 38% të centraleve me erë të Turqisë. Kapaciteti i instaluar aktual i impianteve të erës në zonën e Egjeut është 2.868 megavat (MW) dhe parashikohet të arrijë deri në 3.500 MW në vitet e ardhshme, kur projektet në ndërtim ose të planifikuara të kenë përfunduar.

Gati 20% e impianteve eolike në Turqi, me një kapacitet të instaluar prej 1.462 MW, janë të vendosura në Izmir. Duke marrë parasysh impiantet në ndërtim dhe centralet në plan për t'u licencuar, ky kapacitet pritet të arrijë në 1.700 MW.

Renditja e “fDi Magazine” tregoi se Evropa ishte rajoni më i mirë në botë për investime të huaja në projekte të energjisë së ripërtëritshme në vitin 2019 me Mbretërinë e Bashkuar në krye të listës.

Sipas renditjes, shumica e investimeve të energjisë së rinovueshme në Britani shkuan për rritjen e kapacitetit të energjisë eolike, e cila u pasua nga energjia e biomasës.

E dyta pas Mbretërisë së Bashkuar u rendit Spanja, me numrin më të lartë të projekteve të investimeve të huaja direkte në energjinë diellore. Spanjë e ndoqi Franca falë agjendës së Parisit zyrtar për ndryshimin e klimës, përfshi këtu edhe stimuj të fortë për investime të huaja.

Ndërsa renditja e investimeve në energjinë e pastër në raport me popullsinë u u kryesua respektivisht nga Bosnjë-Hercegovina, Finlanda dhe Serbia.



Lajme të ngjashme