Liderët e ASEAN-it mbajtën takim për Covid-19

Krerët e shteteve dhe qeverive të Unionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) mbajtën një samit me telekonferencë me temë diskutimi zhvillimet lidhur me llojin e ri të koronavirusit (Kovid-19).

1397876
Liderët e ASEAN-it mbajtën takim për Covid-19

Drejtuesit e bllokut 10-vendësh, të përbërë nga Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Vietnami, Kamboxhia, Laosi, Birmania dhe Brunei biseduan në samit për masat që duhen marrë në nivelin rajonal kundër pandemisë.

Në fjalën e tij të hapjes, Kryeministri i Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc, i cili ishte edhe nikoqiri i samitit, sugjeroi që dëmi që do t’i shkaktojë epidemia ekonomisë globale do t’i prekë njerëzit në aspektin socio-ekonomik, dhe propozoi krijimin e një fondi që do të ofronte ndihma financiare brenda vendeve të ASEAN-it për të ruajtur sigurinë sociale dhe stabilitetin rajonal.

Duke theksuar se mes vendeve duhen mbajtur stoqe të përbashkëta me materiale mjekësore për situatat emergjente dhe vendet duhet t’i ndajnë burimet e tyre me njëra-tjetrën Nguyen vuri në dukje se duhet krijuar që tani mekanizma të përbashkët për të luftuar me epidemitë e mundshme në të ardhmen.

Kryeministri vietnamez nënvizoi në vijim të fjalës së tij nevojën për mbajtjen e kufijve hapur me qëllim për të siguruar vazhdimësinë në zinxhirët e furnizimit të vendeve të ASEAN-it, vende që i kanë ekonomitë e tyre të bazuara në eksporte. Për ta rikthyer ekonominë globale në gjendjen e mëparshme është e nevojshme të flitet për "strategjinë e daljes nga kriza",- shtoi ai.

Në samit e mori fjalën edhe Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i cili gjithashtu tha se ASEAN "duhet të zhvillojë një përgjigje efektive dhe strategjik ndaj kësaj epidemie që po prek të gjithë jetën e njeriut".

Pasi kërkoi që ASEAN-i të rrisë koordinimin dhe bashkëpunimin e tij në shkallë rajonale dhe më gjerë, Duterte tha:

"Ne kemi ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të luftuar pandeminë. Ne kemi kërkuar nga njerëzit tanë të qëndrojnë larg njëri-tjetrit dhe të rrinë në shtëpitë e tyre. Ne minimizuam aktivitetet socio-ekonomike. Ne mbyllëm kufijtë tanë, vendosëm barriera në tregtinë dhe lëvizjen e lirë. Vetëm se këto masa urgjente megjithëse janë të domosdoshme, ato barin rrezikun e largimit të vendeve nga njëri-tjetri dhe ndarjen edhe më shumë të shoqërisë ndërkombëtare”.

Duke theksuar se garantimi i sigurisë ushqimore është thelbësore për stabilitetin socio-ekonomik dhe politik, Duterte tha:

"Rajoni i ASEAN-it duhet të jetë i hapur për tregti. Asnjë vend nuk mund të mbijetojë i vetëm, qoftë në krizë apo jo. Prandaj, ne duhet të ruajmë zinxhirët e furnizimit dhe rrjedhën pa ndërprerje të mallrave në rajonin tonë.”

Përveç udhëheqësve të ASEAN-it, pritet që në samitin dyditor të marrin pjesë me telekonferencë edhe liderët e Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut.

 


Lajme të ngjashme