Kompanitë turke të tekstileve promovojnë prodhimet e tyre në SHBA

Eksportuesit turq të tekstileve organizuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Panairin “I Of The World” për të promovuar prodhimet tekstile të vendit.

1345481
Kompanitë turke të tekstileve promovojnë prodhimet e tyre në SHBA

Organizimi dyditor nisi të martën me pjesëmarrjen e 32 kompanive turke.

Panairi 1. “I Of The World” u organizua në Nju-Jork, një prej qendrave botërore më të rëndësishme të modës, nga Shoqata e Eksportuesve të Tekstileve dhe Lëndëve të Para të Stambollit (ITHIB).

Zëvendësministri turk i Tregtisë, Riza Tuna Turagay, theksoi se SHBA-ja është një treg i rëndësishëm dhe i madh në industrinë tekstile.

“Ndërkohë që importet e tekstileve dhe veshjeve të SHBA-së janë rreth 100 miliardë dollarë në vit, pjesa e Turqisë në eksportet e këtyre sektorëve drejt SHBA-së është rreth 1 miliard dollarë”, bëri me dije ai.

Turagay shtoi se megjithatë kjo shifër nuk pasqyron potencialin e vërtetë të Turqisë, pasi eksportet e tekstileve dhe veshjeve të vendit janë rreth 29,5 miliardë dollarë në vit.

Kurse Ahmet Oksuz, president i Bordit Ekzekutiv të ITHIB-së, tha se Panairi “I Of The World” do të sigurojë një prej kontributeve konkrete në arritjen e objektivit të 100 miliardë dollarëve në tregtinë bilaterale ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së.

“Turqia është furnizuesja e 6-të më e madhe e tekstileve në botë dhe e 10-ta në tregun e SHBA-së. Synimi ynë është të ngjitemi shumë më lartë”, potencoi ai.

Oksuz rikujtoi se SHBA-ja aplikon 15 për qind taksë për produktet turke të tekstileve, ndërkohë që ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Jordaninë dhe Egjiptin.

“Rrjedhimisht konkurrenca bëhet e vështirë për ne në produkte të ngjashme”, precizoi kreu i Bordit Ekzekutiv të ITHIB-së.

Panairi “I Of The World”, i vetmi për eksportin e prodhimeve sektoriale nën organizmin e shoqatave të eksportuesve, përfundon të martën.



Lajme të ngjashme