Turqia në 2023 vë në punë centralin e parë bërthamor

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dënmez tha të premten se synimi është që centrali i energjisë nukleare «Akkuyu» të vihet në punë në vitin 2023.

Turqia në 2023 vë në punë centralin e parë bërthamor

Gjatë prezantimit të p/buxhetit të ministrisë në Komisionin e Plan-Buxhetit në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) ministri Fatih Dënmez (Fatih Dönmez) tha se punimet për përballimin pa vështirësi të kërkesës për energji në Turqi vazhdojnë me vendosmëri.

Duke folur për gazsjellësin që do të ndërtohet ndërmjet Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) Dënmez tha se punimet janë në fazën e projektimit dhe mendohet që linja të jetë dydrejtimëshe dhe të përbëhet nga dy tubacione.

Për centralin bërthamor «Akkuyu» Fatih Dënmez tha se objektivi është viti 2023.

“Objektivi është që reaktorin e parë në centralin bërthamor «Akkuyu» ta vëmë në punë në vitin 2023, që është 100-vjetori i Republikës së Turqisë”,- shtoi ai.

Duke folur për aktivitetin eksplorues për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor ministri Dënmez tha se Turqia nuk do të bëjë hap prapa nga të drejtat e saj në këtë çështje.

“Me anijet tona kombëtare do të ndjekim një strategji aktive në kërkimin e naftës dhe gazit duke hapur 5 puse brenda vitit 2020. Është një pritshmëri e kotë që të shpresosh se Turqia të gjunjëzohet përballë kërcënimeve dhe të hedhë hapa prapa nga të drejtat e saj në Mesdheun Lindor”,- theksoi ministri Dënmez.

Në lidhje me sigurinë e ofertës së gazit natyror Dënmez tha se punimet vazhdojnë edhe në këtë drejtim dhe bëri këtë deklaratë: “Kanë përfunduar punimet për pjesën e Projektit të Gazsjellësit Trans-Anadolian (TANAP), i cili do të furnizojë Evropën me gazin azer. Me ceremoninë që do të realizohet më 30 nëntor 2019 për “Inaugurimin e Lidhjes Evropiane të TANAP-it” konsumatorët evropianë do të kenë mundësi të përdorin gazin azer. Kurse Projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), që përbën pjesën evropiane të Korridorit Jugor të Gazit do të aktivizohet në vitin 2020 dhe do të fillojë kështu dërgimi i 10 miliardë metrave kub në vit i gazit azer në Evropë.”

 


Lajme të ngjashme