Turqia pret që ShBA ta përjashtojë atë nga tarifat e ardhshme doganore

Presidenti Erdoan tha të mërkurën se ai pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ta përjashtojnë Turqinë nga çdo tarifë e ardhshme (doganore) për shkak të partneritetit strategjik midis dy vendeve.

Turqia pret që ShBA ta përjashtojë atë nga tarifat e ardhshme doganore

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një fjalim në darkën zyrtare të Konferencës së 10-të të Investimeve në Turqi, organizuar nga Këshilli i Biznesit Turqi-ShBA (TAIK) në qytetin Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ai ndodhej për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 74-ët të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Erdogani tha se investitorët e të dyja vendeve po bëjnë një punë të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekzistuese mes Turqisë dhe ShBA-së, dhe se të dyja vendet kanë përfituar nga këto përpjekje.

Luftërat tregtare jo vetëm që rrisin pasigurinë, por njëherësh ato shkaktojnë edhe dëme të rënda mbi ekonomitë e vendeve që janë në zhvillim,- u shpreh Erdoan dhe shtoi: “Ne kemi bindjen se dy ekonomitë më të mëdha të botës (ShBA-Kinë) do të veprojnë me ndjenjën e përgjegjshmërisë. Shpresojmë që mosmarrëveshjet mes tyre të zgjidhen brenda një kohe të shkurtër në kuadër të praktikës që është ndjekur deri më tani nga Organizata Botërore e Tregtisë”.

Për Turqinë ShBA-ja është vendi i pestë, tek i cili ajo bën më shumë eksporte dhe vendi i katërt për nga importet,- tha kreu i shtetit turk dhe e vijoi kështu fjalimin e tij: “Vendet që duan ta forcojnë tregtinë mes tyre nuk vendosin barriera. Ne dëshirojmë që ShBA-ja ti rishqyrtojë dhe heqë disa nga masat që ka zbatuar kundër vendit tonë. Duhet bërë kthim prapa nga vendime të tilla si tarifat shtesë për eksportet tona të çelikut dhe aluminit dhe përjashtimi nga Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave (Generalized System of Preferences-GSP). Nga përjashtimet që u janë njohur disa vendeve në lidhe me këtë çështje duhet të përfitojë edhe Turqia. Gjithashtu presim përjashtimin e Turqisë edhe disa masa që ShBA-ja ka në plan të marrë në vijim. Pasi para së gjithash ne jemi partnerë strategjikë”.

"Unë besoj se hapja e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë do të jetë e dobishme në drejtim të arritjes së vëllimit të synuar të tregtisë," tha Erdoan, ndërsa theksoi se një marrëveshje e tillë kryesisht do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis dy vendeve.

"Përveç kësaj, marrëveshja do t'i lejojë sipërmarrjet turke dhe ato amerikane të hapen në gjeografitë e të dy vendeve dhe madje të zhvillojnë projekte të përbashkëta edhe në vendet e treta", shtoi ai.

Ndër të tjera Presidenti Erdoan tha se ata do ta vazhdojnë luftën kundër organizatës terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës së 15 korrikut 2016 për grushtshteti në Turqi.

“Fakti, që kreu i FETO-s vazhdon jetën normale në Pensilvani, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pavarësisht kutive plot me prova që u kemi dhënë autoriteteve amerikane, i ofendon dhe i lëndon popullin tonë dhe familjet e dëshmorëve. Është një kontradiktë shumë e madhe që një vend si ShBA-ja, e cila pretendon se është një vend pararojë në aspektin e demokracisë dhe lirive, të presë krahëhapur ata që cenojnë demokracinë”, përfundoi Presidenti Erdoan.

 


Lajme të ngjashme