Sektori automobilistik evropian: Brexit-i pa marrëveshje do të ketë pasoja shkatërruese

Përfaqësuesit e kompanive të sektorit automobilistik me aktivitet në shtetet evropiane bënë me dije të hënën se Brexit-i pa marrëveshje do të ketë pasoja shkatërruese.

1274864
Sektori automobilistik evropian: Brexit-i pa marrëveshje do të ketë pasoja shkatërruese

Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), Shoqata Evropiane e Nënkontraktuesve të Automobilistikës (CLEPA) dhe 21 grupe të sektorit lëshuan një komunikatë të përbashkët mbi procesin e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

Duke tërhequr vëmendjen se Brexit-i pa marrëveshje do të ketë “pasoja shkatërruese” për sektorin e automobilistikës, komunikata thekson se kjo situatë duhet parandaluar.

“Industria e automobilistikës së BE-së është një sektor që prodhon 19,1 milionë mjete në vit dhe siguron punësim për 13,8 milionë njerëz. Largimi pa marrëveshje i Britanisë së Madhe nga Unioni do të shkaktonte një shkarje sizmike dhe tarifat doganore miliarda dollarëshe do të kërcënonin preferencat e konsumatorit në të dyja palët”, nënvizon komunikata dhe paralajmëron se përfundimi i tregtisë pa tarifa ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuara do të dëmtojë aktivitetet e sektorit të automobilistikës.

“Kostoja e ndalimit të prodhimit në sektorin e automobilave në Britaninë e Madhe do të jetë 54.700 euro në minutë”, shton ajo.

Në referendumin e vitit 2016, 52 për qind e qytetarëve britanikë votuan në favor të largimit të vendit nga BE-ja.

Kryeministri Boris Johnson këmbëngul se Brexit-i do të realizohet më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.



Lajme të ngjashme