Komisioni Evropian firmos një marrëveshje tjetër financiare (IPA) me Shqipërinë

Shqipëria dhe Komisioni Evropian (KE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare IPA, e cila ka si qëllim mbështetjen me fonde në sektorë të ndryshëm.

Komisioni Evropian firmos një marrëveshje tjetër financiare (IPA) me Shqipërinë

Shqipëria dhe Komisioni Evropian (KE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare IPA, e cila ka si qëllim mbështetjen me fonde në sektorë të ndryshëm, si në procesin e reformës në institucionet e drejtësisë, në zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Marrëveshja mbi fondet e Bashkimit Evropian (BE) u nënshkrua nga zv/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Sokol Dedja dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Zv/ministri Dedja gjatë fjalës në ceremoninë e nënshkrimit tha se në rrugëtimin evropian të Shqipërisë asistenca financiare është një mbështetje shumë e rëndësishme për zbatimin e procesit të reformave.

"Sot jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen për fondet e BE-së për Shqipërinë për vitin 2018. Vetëm mbështetja e BE-së për Shqipërinë për vitin 2018 është 94,1 milionë euro", tha Dedja.

"Procesi i integrimit evropian është jetik për vendin, jetik për qytetarët, por nuk është një proces i lehtë. Është një proces transformimi, modernizimi, që prek të gjitha qelizat e funksionimit të shtetit dhe shoqërisë. Standardet e BE-së në shumë fusha janë nga standardet më të larta në botë. Mbështetja financiare e BE-së është shumë ndihmuese dhe e rëndësishme", theksoi Dedja.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca, tha se nxisin institucionet e Shqipërisë të përmbushin angazhimet dhe të japin rezultate të plota për reformat.

"Mbështetja mbulon të gjitha fushat e institucioneve të sistemit të drejtësisë. Ajo po ashtu vjen në një moment shumë të rëndësishëm për të bërë të mundur dhe siguruar ngritjen e shpejtë dhe të plotë të institucioneve të reja. Një element tjetër kyç i rëndësishëm i këtij programi është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Javët dhe muajt në vijim do të jenë kyçe për Shqipërinë", u shpreh gjatë fjalës në aktivitet ambasadori Soreca.

Ai tha se "BE do të vazhdojë të jetë partneri numër një i Shqipërisë në nivelin politik dhe financiar”.

Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit (IPA) është instrument i financuar nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon të mbështesë vendet kandidate në implementimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike. (Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme