Bashkimi Evropian zgjedh bullgaren Kristalina Georgieva për postin e kreut të FMN-së

Bashkimi Evropian ka emëruar të shtunën bullgaren Kristalina Georgieva që të zëvendësojë Christine Lagarde si drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Bashkimi Evropian zgjedh bullgaren Kristalina Georgieva për postin e kreut të FMN-së

Georgieva, e cila aktualisht ushtron detyrën e shefes ekzekutive të Bankës Botërore, fitoi ndaj ish-ministrit holandez të Financave, Jeroen Dijsselbloem, pas dy raundeve të votimit.

“Përgëzoj Kristalina Georgievan për rezultatet e votimit evropian. I uroj asaj suksesin më të madh”, shkroi Dijsselbloem në llogarinë e tij në “Twitter”.

Votimi erdhi pasi Lagarde dha dorëheqjen muajin e kaluar nga posti i saj për të shërbyer në një rol të ri si kryetare e Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Ajo ishte drejtuese e FMN-së që nga viti 2011.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, po ashtu e uroi Georgievan në “Twitter”.

“Ju i keni të gjitha cilësitë e nevojshme për të dhënë një kontribut efektiv në misionin e FMN-së”, theksoi ai. / AA



Lajme të ngjashme