Hisarciklioglu: Niveli i tregtisë së ndërsjellë Turqi-Pakistan nuk u ka hije dy vendeve vëllazërore

Presidenti i Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë (TOBB), Rifat Hisarciklioglu, deklaroi të martën se tregtia e ndërsjellë mes Turqisë dhe Pakistanit nuk është në nivelet e dëshiruara.

Hisarciklioglu: Niveli i tregtisë së ndërsjellë Turqi-Pakistan nuk u ka hije dy vendeve vëllazërore

Në Stamboll u zhvillua të martën mbledhja prezantuese e Forumit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Turqi-Pakistan, ku të pranishëm ishin kreu i TOBB-së Rifat Hisarciklioglu, presidenti i Federatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Pakistanit Daroo Khan Achakzai, bashkëkryetarët e palës turke dhe pakistaneze të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Turqi-Pakistan, si dhe anëtarët e saj.

Hisarciklioglu tha në fjalën e rastit se Turqia dhe Pakistani gëzojnë prej shekujsh lidhje të forta historike dhe kulturore, megjithatë është për të ardhur keq po të shikohen të dhënat ndërmjet vëllezërve.

“Ne jemi bashkë në shumë platforma. Vëllimi tregtar ndërmjet Turqisë dhe Pakistanit është rreth 700 milionë dollarë. Tregtia jonë e ndërsjellë nuk u ka hije dy vendeve vëllazërore. Gjithashtu investimet tona reciproke s’janë në nivelet e dëshiruara. Totali i investimeve të drejtpërdrejta të Turqinë në Pakistan është 1 miliard dollarë, ndërsa investimet direkte të Pakistanit në Turqi janë 600 milionë dollarë”, u shpreh ai.

Duke përmendur sukseset e Turqisë në sektorin e ndërtimtarisë, presidenti i TOBB-së vuri në pah se firmat turke të ndërtimit duhet të marrin më shumë projekte sidomos në investimet infrastrukturore në kuadër të korridorit ekonomik Pakistan-Kinë.

Ndërsa presidenti i Federatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Pakistanit, Daroo Khan Achakzai, tha se ekzistojnë shanse të shumta si në rajonin e Gjirit (Persik) ashtu edhe në Azinë Qendrore.

“Këto mund t’i konkretizojmë përmes bashkëpunimit”, theksoi ai duke tërhequr vëmendjen mbi domosdoshmërinë e ndërveprimit dhe kooperimit dypalësh në fusha si shkëmbimi i informacioneve, investimet, tregtia, industria dhe bota e biznesit në përgjithësi.

Achakzai gjithashtu shprehu bindjen se në rast të zhvillimit të biznesit ndërmjet dy vendeve dhe marrëdhënieve tregtare dypalëshe, kjo situatë do të pasqyrohet në shifra dhe shifrat do të shënojnë rritje.

Të pranishëm në këtë mbledhje prezantuese ishin gjithashtu drejtues të lartë të rreth 50 firmave turke dhe pakistaneze.



Lajme të ngjashme