Qiproja turke u propozon grekëve një zgjidhje me 9 pika për hidrokarburet

Propozimi që Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV) i ka përcjellë përmes Kombeve të Bashkuara (OKB) liderit grekoqipriot Nikos Anastasiades përbëhet nga 9 pika.

Qiproja turke u propozon grekëve një zgjidhje me 9 pika për hidrokarburet

Sipas një lajmi të Agjencisë Turke të Qipros (ATK), propozimi i RTQV-së përmban detaje mbi parimet themelore të krijimit të një komiteti të përbashkët për hidrokarburet, metodat e punës dhe kompetencat si dhe mbi ndarjen e të ardhurave, statusin e licencave ekzistuese dhe prioritetet lidhur me përdorimin e të ardhurave.

Propozimi thekson se si dy bashkëpronarët e ishullit, turqit dhe grekët qipriotë kanë të drejta të barabarta edhe në burimet e gazit natyror dhe se të dy komunitetet duhet të përfitojnë nga këto burime në të njëjtën kohë në mënyrë të drejtë.

Gjithashtu propozimi parashikon arritjen e konsensusit mbi një raport të caktuar në ndarjen e të ardhurave të naftës dhe gazit natyror në mbledhjen e parë të komitetit të përbashkët që do të mbahet në një datë për të cilën do të pajtohen palët.

Një pikë tjetër e këtij propozimi ka të bëjë me krijimin e një fondi të përbashkët për grumbullimin e të ardhurave të hidrokarbureve dhe përdorimin e një pjese të konsiderueshme të këtij fondi në të ardhmen për zgjidhjen e problemit të pronave brenda kornizës së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse si dhe për financimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të dy pjesëve të ishullit.

Propozimi i Presidentit të RTQV-së, Mustafa Akënxhë (Akıncı) drejtuar liderit grekoqipriot Anastasiades synon të transformojë çështjen e hidrokarbureve nga një fushë e tensionit dhe konfliktit në një fushë të bashkëpunimit të frytshëm.

Propozimin e RTQV-së për krijimin e komitetit të përbashkët administrata grekoqipriote do ta trajtojë të martën.

 


Lajme të ngjashme