SHBA – Presidenti Trump përgjysmon tarifën doganore për importet e çelikut nga Turqia

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi të enjten uljen nga 50 në 25 për qind të tarifës doganore që vendi i tij aplikon ndaj importit të çelikut nga Turqia.

SHBA – Presidenti Trump përgjysmon tarifën doganore për importet e çelikut nga Turqia

Shtëpia e Bardhë publikoi një komunikatë me shkrim për rregullimin e fundit të Trumpit në lidhje me tarifën doganore të çelikut.

Në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se presidenti amerikan ka reduktuar sërish në 25 për qind tarifën doganore për produktet e çelikut të importuara nga Turqia, nga 50 për qind që aplikohej prej tashmë 9 muajsh.

“Importet e produkteve të çelikut nga Turqia ranë me 48 për qind në vitin 2018. Si rezultat i kësaj, përdorimi i kapaciteteve të industrisë vendase në këtë pikë është përmirësuar deri afër nivelit të synuar të rekomanduar nga sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross”, është shprehur Trumpi në komunikatën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ky nivel – ka vijuar ai – do të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të industrisë amerikane të çelikut në terma kohorë afatgjatë.

“Duke marrë në konsideratë këto përmirësime, kam vendosur se është e nevojshme dhe e përshtatshme për të hequr tarifën më të lartë mbi importet e çelikut nga Turqia”, ka theksuar Trumpi duke shtuar se megjithatë ruajtja e tarifës në nivelin 25 për qind mbetet e domosdoshme.

Më 10 gusht 2018, administrata amerikane pati rritur në 50 për qind tarifën doganore për importet e çelikut dhe në 20 për qind ato të aluminit nga Turqia.

Kurse Turqia e pati ngritur çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) duke theksuar se vendimi në fjalë i SHBA-së bie ndesh me rregullat e OBT-së.

Nga ana tjetër, Donald Trumpi bëri me dije përjashtimin e Turqisë nga Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave (SPP), i cili mundëson avantazhe tatimore në tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke potencuar se Turqia është ngjitur tashmë mbi nivelin ekonomik që i mundësonte asaj të përfitonte nga SPP-ja, presidenti amerikan vuri në pah se vendimi në fjalë do të hyjë në fuqi duke filluar nga data 17 maj 2019.

Në kuadër të SPP-së, program që në SHBA ka hyrë në fuqi më 1974-n dhe ku Turqia qe përfshirë në vitin 1975, plot 121 shtete që plotësojnë kriteret e nevojshme, mund të fusnin pa doganë në tregun amerikan rreth 4 mijë zëra produktesh.

Prodhimet më të rëndësishme që SHBA-ja importonte nga Turqia në kuadër të SPP-së ishin ato bujqësore, komponentët dhe pjesët e automobilave, gurët e çmuar dhe stolitë, produktet plastike, komponentët dhe pjesët e makinerive.



Lajme të ngjashme